Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se përveç katër çnjohjeve të Kosovës, siç pretendon ai, janë edhe 18 çnjohje të tjera të siguruara muaj më parë.
Kjo deklaratë e tij vjen vetëm dy ditë, pasi ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla-Schwarz, ka dorëzuar aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës(KE).
Ndërsa, të premten, Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ka thënë se ia ka dorëzuar presidentit Aleksandër Vuçiq, notat diplomatike të katër vendeve që kanë tërhequr njohjen e Kosovës, duke shtuar se Këshilli e ka autorizuar presidentin që të informojë opinionin publik se për cilat vende bëhet fjalë.
Selakoviq ka thënë se Qeveria e Serbisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme do të “vazhdojnë të luftojnë ashpër” dhe të punojnë për tërheqjen e njohjes së Kosovës, pas aplikimit të kësaj të fundit për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Për mediumin serb, RTS, Petkoviq ka thënë se “Kemi arritur të sigurojmë 18 tërheqje të njohjeve nga ato vende që më parë e kanë njohur Kosovën. Ky numër tani është rritur në 18 plus katër dhe ky numër sigurisht që do të rritet edhe më tej”.
Më tutje, ai ka folur edhe për takimin e së premtes të 13 majit në Bruksel, në kuadër të dialogut, duke potencuar faktin se bisedimet me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës për për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimin, kanë dështuar për fajin e këtij të fundit.
“Mos bini në kurthin e Prishtinës, janë ata që duan që dialogu të dështojë. Kështu kanë bërë gjithë këta muaj, të njëjtën gjë, kanë bërë edhe dje. Fakti që Bislimi nuk dëshiron të flasë drejtpërdrejt me palën tonë tregon se ata nuk duan asgjë për të negociuar me ne”, ka deklaruar Petkoviq.
Sipas pretendimeve të Petkoviq, kur pala serbe ka dëshiruar të flasë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe apo edhe çështjen e personave të zhdukur, ka qenë pala kosovare ajo që ka ikur dhe ka refuzuar të flasë.
“Gjatë gjithë kohës flasin për çështjen e personave të zhdukur, por kur duhet të biem dakord për diçka konkrete, ata tërhiqen. Bisedimet e djeshme janë rënduar nga fakti se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, ka shtuar ai.
Ndryshe, të premten e 13 majit, ministrja Donika Gërvalla ka thënë se nuk ka asnjë informacion zyrtar se shteti i Kosovës është çnjohur nga katër shtete, ashtu siç është thënë nga zyrtarët serbë.
Gërvalla ka deklaruar se nëse ky lajm është i vërtetë, Serbia ka punuar gjatë për një gjë të tillë.
Sipas Gërvallës, Serbia vazhdimisht ka qenë destruktive në raport me Kosovën.
“Nuk kemi asnjë informacion që ka çnjohje, ose lajmi është i pavërtetë ose ata kanë punuar që moti për këtë punë. Serbia asnjë moment nuk e ka ndalur punën për çnjohje. Asnjë prej këtyre shteteve nuk ka premtuar çnjohje, nuk e di për çka e ka fjalën Selakovici, por strategjitë e Serbisë destruktive ndaj fqinjëve nuk është diçka që mund ta parashikojmë. Serbia duhet ta përkrahë anëtarësimin e Kosovës në KE. E gjithë tentativa e Serbisë nuk ka të bëjë aspak për përmirësimin e jetëve të serbëve këtu”, ka deklaruar ajo.
Tutje Gërvalla, ka theksuar sesi ministri janë duke punuar për njohje të reja, por që nuk ka dhënë më shumë detaje.
Fokus kryesor, sipas saj, janë katër shtete anëtare të Bashkimit Evropian, për të cilat është shprehur se është duke u punuar vazhdimisht.
Ajo ka paralajmëruar lajme të mira në të ardhmen, por nuk e ka specifikuar se për çfarë bëhet fjalë.
“Ne jemi duke punuar për njohje të reja, është rregull i diplomacisë që pa ndodhur njohja mos të japim shumë informacione. Kemi lajme të mira, jemi duke punuar me pesë shtetet e BE-së. Edhe sa i përket atyre dhe të tjerave ne përpiqemi t’i realizojmë në një bashkëpunim me partneret tanë”, ka deklaruar ajo.
“Kosova është ndër shtetet e pakta e ndoshta edhe shteti i vetëm i cili në Kushtetutë e ka përfshirë Këshillin e Evropës. Jemi shumë të lumtur që për kërkesën tonë për anëtarësim e gëzojmë një përkrahje. Përfshirja e Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë një kontribut për stabilitetin dhe paqen në Ballkan”, ka deklaruar ajo.
Ndryshe, të enjten e 12 majit Këshilli i Evropës e ka konfirmuar se e kanë pranuar kërkesën e shtetit të Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, ndërsa KE nuk ka dhënë ndonjë datë se kur pritet të merret vendimi për pranimin ose mospranimin e Kosovës.