Autoritetet në Kiev thanë se Moska ka shkatërruar dhjetëra objekte të eksportit të grurit që nga largimi i saj nga një marrëveshje e ndërmjetësuar nga OKB-ja në fillim të këtij muaji.
Raketat Kalibr të lëshuara nga një nëndetëse ruse në Detin e Zi vranë një roje sigurie dhe dëmtuan një terminal mallrash në rajonin e Odesës, tha guvernatori Oleh Kiper, në orët e hershme të 27 korrikut.
Odesa, porti kryesor i Ukrainës në Detin e Zi, është shënjestruar vazhdimisht nga sulmet ruse në javët e fundit.
Ndërkohë, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura tha në raportin ditor se Rusia përdori edhe një herë dronët Shahed të prodhuar nga Irani, duke shtuar se ende nuk dihen saktësisht dëmet e pësuara nga këto sulme.
“Fatkeqësisht, ka viktima në mesin e popullatës civile, ndërtesat e banimit janë shkatërruar”, tha ushtria.
Ministri ukrainas i Infrastrukturës, Oleksandr Kubrakov, tha se Rusia dëmtoi ose shkatërroi 26 objekte në porte apo objekte magazinimi të grurit që kur refuzoi ta zgjaste marrëveshjen që do ta lejonte eksportin e vazhdueshëm të drithërave ukrainase në botë.
Kubrakov, duke folur në orët e vona të 26 korrikut, tha se qëllimi i sulmeve ruse është “privimi i botës nga ushqimi ukrainas, duke krijuar kështu një krizë globale ushqimore”.
“Vetëm në nëntë ditët e fundit, si rezultat i sulmeve ruse, 26 objekte të infrastrukturës në porte dhe pesë anije civile u dëmtuan dhe u shkatërruan pjesërisht”, tha ai.
Aleatët e NATO-s dhe Ukraina dënuan më 26 korrik vendimin e Rusisë për t’u tërhequr nga marrëveshja e grurit të Detit të Zi. Ata kritikuan edhe sulmet që i cilësuan si përpjekje të qëllimshme të Rusisë për t’i ndaluar eksportet bujqësore të Ukrainës.
Në një deklaratë të lëshuar pas një takimi të Këshillit NATO-Ukrainë në Bruksel, NATO-ja tha se aleatët dënojnë sulmet e fundit raketore të Rusisë në Odesa, Mykolayiv dhe qytete të tjera pranë porteve, përfshirë sulmin “cinik” me dronë në objektin e magazinimit të grurit në Ukrainë, në Reni – pranë kufirit të Ukrainës me Rumaninë anëtare të NATO-s.
“Rusia vazhdon të tregojë mungesë respekti të plotë për ligjin ndërkombëtar dhe për njerëzit në mbarë botën që varen nga gruri ukrainas”, tha në një deklaratë zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana.
“Ne qëndrojmë në solidaritet me aleatët tanë të Detit të Zi, ne do të vazhdojmë ta mbrojmë njëri-tjetrin dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën për aq kohë sa të duhet”.
Për më tepër, aleatët e NATO-s thanë se do të rrisin mbikëqyrjen në rajonin e Detit të Zi përmes avionëve të patrullimit detar dhe dronëve.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u shpreh i kënaqur me “dënimin e qartë” nga këshilli për tërheqjen e Rusisë nga marrëveshja e grurit.
Marrëveshja skadoi më 17 korrik, pasi Rusia u tërhoq, një veprim që Kombet e Bashkuara thanë se do të ishte “një goditje për njerëzit në nevojë kudo në botë”.
Moska tha se arsyeja e saj për të hequr dorë nga marrëveshja ishte se kërkesat e saj për t’i përmirësuar eksportet e saja të grurit dhe të plehrave nuk u përmbushën.
Rusia lëshoi një breshëri raketash drejt Ukrainës ndërsa u mblodh këshilli NATO-Ukrainë. Zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Yuriy Ihnat, tha se ushtria ukrainase rrëzoi raketat ruse në rajonet e Kievit, Harkiv dhe Dnipropetrovsk në orët e vona më 26 korrik./ REL