Dokumente të dërguara në e-mail të qytetarëve nën emrin e zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe Europolit, janë publikuar nga Policia me qëllim të sqarimit të opinionit publik.
Me anë të një komunikate për media, Policia e Kosovës ka theksuar se email-at e dërguara nuk janë lëshuar nga zyrat e tyre dhe se të njëjtat nuk janë të shkruara as në formatin zyrtar.
“Siç e kemi theksuar në sqarimin e parë, tani edhe në sqarimin e dytë e ritheksojmë se në e-mailin dhe dokumentin e falsifikuar, janë përdorur emrat e zyrtarëve të lartë të PK-së dhe logot e ndryshme, por se ripotencojmë se nuk janë dokumente zyrtare, nuk përmbajnë formatin dhe shkrimin zyrtar të PK-së, si dhe nuk janë lëshuar nga adresat zyrtare të Policisë së Kosovës. Me qëllim që të sqarohet opinioni dhe personat të cilët mund të pranojnë ndonjë e-mail apo dokument të tillë, Policia e Kosovës i bën publike këtë dokument të falsifikuar dhe formën e e-malit, po ashtu të falsifikuar, të cilat i gjeni të bashkëngjitura, me qëllim që të mos krijojë shqetësime të panevojshme te qytetarët”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e dezinformatave apo mashtrimeve të tilla.