“Dëshira e tij për t’i ndjekur hapat e babait, na jep shpresë se rinia jonë do t’i shërbejë vendit”.
Kështu ka deklaruar kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për djalin e të ndjerit, ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi.
Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka ndarë disa foto nga vendosja e luleve te vendi i rënies së Zymberit. Krahas tij, ishte edhe djali i këtij të fundit, Sokoli.
Gjersa thekson se kujtimi për Zymberin do të mbetet gjithmonë evident, Kurti deklaroi se dëshira e birit të të ndjerit mbetet ndjekja e hapave të të atit.
“Bashkë me Sokolin, djalin e heroit, Enver Zymeri, vendosëm dje lule të freskëta në vendin ku ka rënë ai, këtu e 12 vite më parë. Enverin do ta kujtojmë gjithmonë sepse përpjekja e tij vetëmohuese është edhe e jona: Kosovën e lirë ta bëjmë me sovranitet të plotë, pa krim e korrupsion, me jetë cilësore për të gjithë, pa dallim. Sytë e Sokolit janë veç dritë. Dëshira e tij për t’i ndjekur hapat e babait, na jep shpresë se rinia jonë do t’i shërbejë vendit”, ka shkruar Kurti.
Gjatë ditës së djeshme, Kampi “Belvedere” ka marrë një emër tjetër. Zyrtarisht, ai do të njihet si kampi “Enver Zymberi”.
Pasditen e së mërkurës, në ceremoninë e policëve të rënë është zbuluar memoriali i Enver Zymberajt, me ç’rast edhe kampi ka marrë emrin e tij.
I pranishëm ishte edhe kreu i ekzekutivit, kryeministri Albin Kurti.
Enver Zymberi ishte zyrtar i Policisë së Kosovë, i rënë në detyrë gjatë përballjes me një grup serbësh të armatosur në veri të Kosovës.