Konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile, i përbërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), ka shprehur shqetësimin e thellë për moszbatimin e vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK), Aktgjykimit të Gjykatës Themelore Prishtinë, Aktvendimit të Gjykatës së Apelit për “emërimin e jashtëligjshëm” të kryeinspektorit të Punës.
“Ka kaluar me shumë se një vit kur Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, pas monitorimit të jashtëzakonshëm, kishte marrë vendim që të anulohet vendimi për emërimin e kryeinspektorit. Këshilli kishte konstatuar se pozita e kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës hyn në kategorinë e pozitave të nivelit të lartë drejtues në kuadër të shërbimit civil, dhe si e tillë i nënshtrohet regjimit juridik të Ligjit për Zyrtarët Publikë. Gjithashtu, Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Gjykata e Apelit kanë refuzuar si të pabazuar kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të KPMShcK-së, e cila ishte parashtruar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Po ashtu, Gjykata Themelore në Prishtinë me Aktgjykim ka refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e Ministrisë së Financave, të cilët kishin kërkuar anulimin e vendimit MJ.nr.50/2022 të KPMShCK-së”, thuhet në reagim.
Edhe përkundër vendimit të KPMShCK-së, vendimit të Gjykatës, thuhet se Qeveria nuk e ka anuluar vendimin për emërimin e kryeinspektorit të Punës, e i njëjti së fundmi është emëruar anëtar i Bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
“Andaj, ne kërkojmë që të respektohen vendimet e nxjerra nga organet kompetente dhe që të anulohet vendimi i marrë në mënyrë të jashtëligjshme“, thuhet tutje.