Arben Gashi nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka deklaruar se ishte thënë nga shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje se në seancën e fundit të sesionit pranveror do të kishte kuorum.
Në një deklarim për media pas dështimit të seancës së paraparë për të premten, Gashi ka deklaruar se nga Kusari-Lila i ishte thënë se 61 deputetë do të ishin prezent në seancën e dështuar sot.
Gashi ka vlerësuar se Republika e Kosovës nuk mund të vazhdojë me një Qeveri siç është ajo e Kurtit. Gjersa e kritikoi, Gashi tha se Qeveria Kurti nuk mund ta vazhdojë mandatin e saj.
“Nuk patën koment (LVV) për këtë, por kishte indicije që nuk do të ketë kuorum nga ana tjetër”, ka deklaruar ai, gjersa theksoi se “Ditën e premte do të ketë kuorum, shumca do të ketë 61 deputetë në sallë. Kjo ishte deklarata e saj (Kusari-Lilës)”.
Gashi vlerëson se mbyllja e sesionit pranveror në një mënyrë të tillë ishte një shkelje demokratike, duke u pamundësuar deputetëve fjalën e tyre.
“Sesioni pranveror përfundoi me turp, ashtu siç filloi. Ky sesion dhe kjo qeverisje karakterizohet nga paaftësia, por tashmë jo vetëm nga paaftësia. Karakterizohet nga kapja e shtetit, nga shkeljet kushtetuese, me skandale që kanë të bëjnë si ajo me vajin, karakterizohet me korrupsion masiv, kapje institucionale dhe mbi të gjitha, si qeveri e shkeljeve kushtetuese. Duke ia shtuar kësaj edhe disa elemente të tjera si qeveri e sanksioneve ndërkombëtare dhe qeveri e eks-komunikimit ndërkombëtar. Kosova nuk mund të përballojë një qeverisje të tillë dhe nuk duhet ta përballojë. Paaftësia e menaxhimit me Kuvendin, paaftësia e menaxhimit me Qeverinë, krimi, korrupsioni, shkeljet kushttuese janë dëma të mëdha që po i bëhen Kosovës, andaj ne presim që në vjeshtë të kemi një situatë komplet të re, kjo Qeveri nuk duhet të vazhdojë. Situata në të cilën po përballemi dhe mënyra se si u mbyll sesioni duke ua pamundësuar deputetëve që të deklarohen për çështje me interes në sesionin e fundit, është shkelje procedurale e demokratike’, ka deklaruar Gashi.
Ky i fundit thotë se me një veprim të tillë, Lëvizja Vetëvendosje preferoi ikjen nga përgjegjësia institucionale.
Në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk ka zhvilluar seancën plenare të paraparë për të premten.
Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, ka propozuar që seanca të mbyllet, e me të edhe sesioni pranveror.
“Ka kaluar një orë prej kur e kemi pasur të paraparë të nisim seancën, ende nuk kemi kuorum. Propozoj që ta mbyllim për këtë sesion dhe ju uroj pushim të këndshëm. Shihemi në shtator”, ka deklaruar ajo.
Seanca e sotme ishte e fundit për sesionin pranveror. Ndërkaq, deputetët do t’i kthehen punës në shtator.