AUV: Murtaja afrikane e derrit “nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve, por ndikon në ekonominë bujqësore”

Ndonëse dy raste janë konfirmuar në Kosovë me murtajën afrikane të derrit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës ka bërë të ditur se ka ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e përhapjes së mëtejme të sëmundjes

Një sëmundje e re ka prekur vendin për herë të parë, bëhet fjalë për murtajën afrikane të derrit.

Murtaja afrikane e derrit është sëmundje ngjitëse virale, që shkakton ethe hemorragjike te derrat e butë dhe të egër.

Rasti i parë në Kosovë u konfirmua më 17 korrik në një fermë derrash në komunën e Kllokotit – pjesa jugperëndimore e vendit.

Ndërsa, të enjten e 27 korrikut, murtaja afrikane e derrit është përhapur edhe në Dragash.

Murtaja afrikane e derrit nuk bartet te njeriu

Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, në një përgjigje për Portalin Dukagjini ka thënë se kjo sëmundje nga vetë emërtimi i saj tregon se paraqitet vetëm te derrat e butë dhe ata të egër, ndërsa nuk shfaqet te llojet e tjera të kafshëve.

Thaçi ka thënë se kjo sëmundje ka impakt ekonomik dhe është sëmundje e cila nuk përhapet nga kafshët te njeriu.

Lamir Thaçi, AUV

“Sa i përket sëmundjes murtaja afrikane e derrave (MAD) është sëmundje virusale dhe vetë emërtimi i saj tregon se kjo sëmundje paraqitet vetëm tek derrat e butë dhe tek derrat e egër kurse llojet tjera të kafshëve nuk përfshihen në këtë infeksion. Kjo sëmundje ka impakt ekonomik dhe është sëmundje e cila nuk përhapet nga kafshët tek njeriu”, ka thënë Thaçi.

Ndonëse Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës (AUV) ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të mos u përhapur sëmundja në fjalë, Thaçi ka thënë se në fermën e infektuar janë ndërmarrë këto veprime, ku të gjitha kafshët e kësaj ferme janë asgjësuar, gjithsej 22 krerë derra, është bërë pastrimi dhe dezinfektimi i fermës dhe i është rekomanduar pronarit të kësaj ferme që pas gjashtë muajve të bëhet ripopulimi i saj.

Po ashtu, ai ka thënë se është vazhduar menjëherë me vëzhgimin e fermave të tjera përreth në të cilat janë marrë mostrat e gjakut dhe janë obliguar të gjitha ambulantët veterinare që të gjitha rastet e dyshimta të raportohen në AUV.

“Te gjitha kafshët e kësaj ferme janë asgjësuar 22 krerë derra, është bërë pastrimi dhe dezinfektimi i fermës dhe i është rekomanduar pronarit të kësaj ferme që pas 6 muajve mund të bëjnë ripopulimin e saj. Është vazhduar menjëherë me vëzhgimin e fermave tjera për rreth janë marrë mostrat e gjakut dhe duke u bazuar në rezultatet e analizave laboratorike nuk kemi pasur paraqitje të rasteve te reja. Nga ana e Drejtorit Ekzekutiv të AUV-së është marrë vendim për ndalimin e lëvizjes së derrave në të gjitha komunat e Kosovës dhe një kumtesë për media në formë të shkruar dhe elektronike, janë obliguar të gjitha ambulancat veterinare që të gjitha rastet e dyshimta të raportohen në AUV, janë obliguar fermerët e të gjitha fermave për ngritjen e nivelit të biosigurisë në fermat e tyre dhe që të gjitha rastet e dyshimta të raportojnë në AUV”, ka vijuar ai.

Për të parandaluar përhapjen e sëmundjes, AUV-i ka krijuar një shtab të krizës, thotë ai, ndërsa ka nisur edhe hulumtimin epidemiologjik të fermave të derrave që gjenden në perimetrin prej tri kilometrash larg fermës me derra të infektuar.

“Për praninë e kësaj sëmundje në Kosovë janë njoftuar shtetet fqinje dhe Komisioni Evropian përmes sistemit ADIS(Animal Diseases Information System). Nga Ministri i MBPZHR është marrë vendim për formimin e Shtabit të Krizës për sëmundjen MAD dhe zbatimin e masave parandaluese dhe për momentin jemi duke e monitoruar situatën e kësaj sëmundje në kafshë në fermat e derrave të ekonomive familjare dhe në fermat komerciale dhe situatën me praninë e saj tek derrat e egër (ku deri më tani nga mostrat e dërguara ne LUVK janë konfirmuar dy raste pozitive të MAD në Komunën e Gjilanit dhe Dragashit)”, ka përfunduar Thaçi.

Në anën tjetër edhe veterinari, Bledion Rushiti për Portalin Dukagjini ka dhënë detaje më shumë në lidhje me këtë sëmundje.

Ai ka thënë se murtaja afrikane e derrave është një kërcënim serioz për sistemet e prodhimit të derrave pasi kërcënon sigurinë ushqimore me pasoja të mëdha për tregtinë ndërkombëtare për shkak të kufizimeve tregtare.

Veterinari, Bledion Rushiti

“Murtaja afrikane e derrave (MAD) ose African Swine Fever (ASF) është një sëmundje virale (familja Asfarviridae) shumë ngjitëse e derrave shtëpiakë dhe të egër, duke shkaktuar ethe hemoragjike me shkallë të vdekshmërisë e cila mund të arrijë deri në 100%”, ka thënë Rushiti.

Ai ka thënë se kafshët që preken nga kjo sëmundje janë rriqrat dhe derrat e egër afrikanë të cilët janë rezervuarë natyrorë të virusit.

Kafshët që preken: Në ciklin natyror rriqrat, Ornithodoros, së bashku me derrat e egër afrikanë, janë rezervuarë natyrorë të virusit. Ato mund të transmetojnë virusin përmes pickimit të tyre. Të gjithë derrat e familjes (Suidae) janë të prekshëm ndaj infeksionit, por sëmundja manifestohet klinikisht vetëm në derrat e butë e ato të egër, si dhe në derrat e egër të rezervateve. Derrat e egër afrikanë janë bartës asimptomatikë të MAD dhe shërbe-jnë si rezervuarë i virusit në pjesë të Afrikës”, ka vijuar ai.

Ai ka treguar edhe për shenjat klinike në derra, ku siç ka theksuar ai, derrat mund të kenë temperature të lartë por nuk shfaqin simptoma të tjera të dukshme.

“Në formën akute të sëmundjes të shkaktuar nga shtame shumë virulente, derrat mund të kenë temperaturë të lartë, por nuk shfaqin simptoma të tjera të dukshme për ditët e para. Më pas, gradualisht humbasin oreksin dhe bien në depresion. Tek derrat me lëkurë të bardhë, gjymtyrët kthehen në blu-vjollcë dhe hemorragjitë bëhen të dukshme në veshë dhe në bark. Grupet e derrave të infektuar shtrihen të grumbulluar së bashku duke u dridhur, duke marrë frymë me vështirësi dhe nganjëherë duke u kollitur. Nëse detyrohen të qëndrojnë në këmbë, janë të paqëndrueshëm. Brenda pak ditësh nga infektimi, ata hyjnë në gjendje komatoze dhe më pas ngordhin. Në dosat shtatzëna mund të ndodhin aborte spontane”, ka theksuar Rushiti.

Se si mund të diagnostikohet kjo sëmundje, ai ka thënë se simptomat klinike të infeksionit MAD janë shumë të ngjashme me murtajën klasike të derrave dhe të dy sëmundjet normalisht duhet të dallohen nga diagnoza laboratorike.

“Kjo diagnozë kryhet zakonisht nga një ELISA, PCR në kohë reale ose izolimi i virusit ose nga gjaku, nyjet limfatike, shpretka ose serumi i një derri të infektuar”.

Ai ka thënë tutje se murtaja afrikane e derrave nuk është “zoonozë, pra nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve, por ka efekte shkatërruese në popullatën e derrave dhe ekonominë bujqësore”.

“Virusi është shumë rezistent në mjedis, që do të thotë se mund të mbijetojë në rroba, çizme, rrota të makinave dhe materiale të tjera. Mund të mbijetojë edhe në produkte të ndryshme të derrit, si proshutë apo salçiçe. Prandaj, sjelljet njerëzore mund të luajnë një rol të rëndësishëm në përhapjen e kësaj sëmundjeje të derrave përtej kufijve nëse nuk merren masat adekuate”.

Ndonëse, aktualisht nuk ka një vaksinë efektive kundër MAD, në mungesë të një vaksine efektive, sipas Rushitit, parandalimi në vendet pa MAD varet nga zbatimi i politikave të duhura të importit dhe masave të biosigurisë, duke “siguruar që as derrat e gjallë të infektuar dhe as produktet e derrit nuk futen në zonat pa MAD”.

Sipas tij, kjo përfshin trajtimin dhe asgjësimin e duhur të mbetjeve të ushqimit nga avionët, anijet ose automjetet që vijnë nga vendet e prekura dhe kontrollin e importeve të paligjshme të derrave të gjallë dhe produkteve të derrit nga vendet e prekura.

“Gjatë shpërthimeve dhe në vendet e prekura, kontrolli i përhapjes së murtajës afrikane të derrave mund të jetë i vështirë dhe duhet të përshtatet me situatën specifike epidemiologjike. Në nivel ferme, duhet të zbatohen parimet kryesore të mëposhtme të biosigurisë për t’i mbajtur kafshët të shëndetshme”.

Ai ka treguar për masat e përgjithshme sanitare që mund të zbatohen si zbulimi i hershëm dhe vrasja humane e kafshëve (me asgjësimin e duhur të kufomave dhe mbetjeve), pastrim dhe dezinfektim i plotë, zonimi apo ndarja dhe kontrollet e lëvizjes, mbikëqyrjen dhe hetimin e detajuar epidemiologjik, dhe masa të rrepta të biosigurisë në ferma.

“Siç vërehet në Evropë dhe në disa rajone të Azisë, ku derri i egër luan një rol të rëndësishëm në transmetimin e MAD, menaxhimi i kësaj dendësie të popullsisë së egër dhe ndërveprimi i tyre me sistemet e prodhimit të derrave me biosiguri të ulët është thelbësor. Për të parandaluar dhe kontrolluar me sukses MAD kërkohet njohja dhe menaxhimi i mirë i popullatës së derrit të egër dhe një koordinim i mirë ndërmjet Shërbimeve Veterinare, autoriteteve të kafshëve të egra dhe pyjeve”, ka përfunduar Rushiti.

Ndryshe, sipas Organizatës Botërore të Shëndetit të Kafshëve, në periudhën 9 qershor – 29 qershor, në Evropë janë raportuar 154 raste të derrave të infektuar nga murtaja afrikane. Nga kjo shifër, 28 janë raste të derrave të butë dhe 126 të derrave të egër.

Sipas kësaj organizate, këto raste janë regjistruar në Kroaci, Çeki, Greqi, Hungari, Letoni, Maqedoni të Veriut, Poloni dhe Rumani.

Në ueb-faqen e Organizatës Botërore të Shëndetit të Kafshëve thuhet se, duke mos pasur një vaksinë efektive kundër murtajës afrikane të derrit, sëmundja jo vetëm që pengon shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, por ka ndikime të dëmshme edhe në biodiversitet, si dhe në jetesën e fermerëve.

Sëmundja është identifikuar për herë të parë në vitin 1921 në Kenia.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika