Presidentija e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar lidhur me vendimin e MINT-it për mediumin Klan Kosova.
“Liria e mediave nuk është privilegj, por një e drejtë themelore që mbështet funksionimin e një shoqërie demokratike. Është detyrë e secilit në shoqërinë tonë që ta vlerësojmë lirinë e mediave, ta mbrojmë atë dhe të krijojmë kushte për të, në përputhje me kornizat e përcaktuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës sonë. Respektimi i Kushtetutës dhe i ligjeve janë thelbësore për ruajtjen e rendit, drejtësisë dhe kohezionit social”, ka thënë Osmani, njofton Presidenca.
Osmani ka thënë se promovimi i lirisë së medias brenda kufijve të ligjit, sikurse edhe mbështetja ligjore e fjalës së lirë dhe të drejtës për informim janë “parime bazike të shoqërisë sonë, të cilat burojnë edhe nga akti më i lartë juridik i shtetit tonë”.
“Çdo dilemë ligjore rreth rastit të licensës së mediumit Klan Kosova, duhet të sqarohet deri në fund nga instancat përkatëse të sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës. Presidentja e Republikës pret që kjo të bëhet duke zbatuar ligjin, pa ndërhyrje, bazuar në parimet e paanshmërisë dhe integritetit”, ka thënë tutje presidentja e vendit.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes një njoftimi ka bërë të ditur se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka marrë sot vendim për refuzimin e ankesës së Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova sh.p.k.”.
Kështu, ky Komision ka konstatuar se ARBK-ja “në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k.”.