Ndonëse tash e një kohë mbetet një ndër çështjet më të diskutuara në Kosovë, përpjekja për të mbyllur Klan Kosovën ka marrë edhe vëmendjen e mediave botërore.
Është “Reuters” medium amerikan, i cili shkruan se vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për të pezulluar licensën e mediumit të lartcekur, alarmoi gazetarët në Kosovë.
“Qeveria e Kosovës pezulloi të premten licensën e transmetuesit më të madh televiziv privat në vend për një gabim në regjistrim, duke alarmuar gazetarët që akuzuan partinë në pushtet për një luftë të hapur kundër medias së lirë”, shkruan Reuters.
Gjatë së premtes, ishte Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e cila njoftoi se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve vendosi se Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) ka marrë vendimin e saj në përputhje me ligjin në momentin kur pezulloi certifikatën e biznesit për Klan Kosovën.
Tashmë, Klan Kosova mund të ankohet në Gjykatë.
Një lajm i tillë nxiti një varg reagimesh.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka reaguar në lidhje me vendimin e ministrisë që udhëheq për pezullim të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.
Sipas saj, fakti që një biznes ndër të tjera merret edhe me media, nuk mund të amnistohet prej llogaridhënies për shkeljet ligjore.
Nga ana tjetër, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka deklaruar se çdo dilemë ligjore rreth rastit të licensës së mediumit të lartcekur duhet të sqarohet deri në fund nga instancat përkatëse të sistemit të drejtësisë. Ajo ka theksuar se liria e mediave mbetet një e drejtë themelore që mbështet funksionimin e një shoqërie demokratike.
Si “shumë shqetësuese” është vlerësuar vendimi i MINT-it për Klan Kosovën nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Sipas tij, mbyllja e një prej mediave më të mëdha në Kosovë do të ishte një goditje serioze për lirinë e medias.
Reagime pati edhe nga opozita.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka vlerësuar se Qeveria ka humbur rrugën e saj dhe se po shkon drejt tendencave diktatoriale.
Ndërkaq, vendimi mbi Klan Kosovën u cilësua si “i çmendur” nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai theksoi se Kosova nuk është “një Korea e Veriut”.
Përmes një deklarate të përbashkët, ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe të zyrës së Bashkimit Evropian kanë shprehur shqetësimin e tyre ndaj vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësis dhe Tregtisë që konfirmon pezullimin e licensës së biznesit të Klan Kosovës.
Në deklaratën e tyre theksohet se ky vend do të ketë pasoja në pluralitetin mediatik në Kosovë.
The Embassies of 🇫🇷🇩🇪🇮🇹🇬🇧🇺🇸 & 🇪🇺 express their deep concern about today’s decision by the Ministry of Industry, Entrepreneurship, and Trade confirming the suspension of Klan Kosova’s business license. Read the complete statement: https://t.co/8fbfMc1RBX pic.twitter.com/DVQMAzcx34
— U.S. Embassy Pristina (@USEmbPristina) July 28, 2023