Kryediplomati i Maqedonsië së Veriut, njëherësh edhe nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka thënë se në bllokun shqiptar atje po ndodh përçarja dhe jo bashkimi.
Osmani, zhvillimet e fundit partiake ia atribuon veprimeve të asaj që ai e quajti, qendra hibride politiko-ekonomike.
“Edhe nga BDI u nda një grup deputetësh edhe nga BESA u nda edhe nga Alternativa u nda një grup. Pra kemi një përçarje në bllokun politik shqiptar. Unë e vendosa këtë në kontekst të asaj qendre hibride politiko-ekonomike, e cila, sipas informacioneve tona ka rënë dakord për tre drejtime kryesore, gjegjësisht, përfundime”, ka thënë Osmani, shkruan “AlsatM“.
Sipas Osmanit, tre qëllimet e të kësaj qendre të formuar nga oligarkët dhe politikanët, janë copëtimi i partive shqiptare, ruajtja e kapitalit nga privatizimi dhe mosndëshkimi i ndërsjellë. Duke theksuar se ideja e këtyre oligarkëve dhe politikanëve është që të ruhet monopoli në ekonomi dhe në jetën politike karshi veprimit dhe pushtetit të partive shqiptare në Maqedoni.
“Jo të shkatërrohet BDI-ja, por për të krijuar parti politike lokale që do të merren me njëra-tjetrën dhe nuk do mund të rrezikojnë interesat e atyre oligarkëve. Mendoj se është e dëmshme për funksionimin normal dhe interesat e shtetit, sepse ato janë politika të ndarjes”, ka thënë Osmani, duke theksuar se qëllimi i i këtyre personave është i destinuar të dështojë dhe se i di emrat e këtyre politikanëve dhe oligarkëve po se nuk do t’i zbulojë.