Brenda 24 orëve të fundit kanë ndodhur tri vdekje në Kosovë, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës.
Të shtunën rreth orës 18:00 një person është gjendur pa shenja jete në shtëpinë e tij në Prishtinë. Rasti është hapur si “hetim mbi vdekjen”, gjersa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.
“Prishtinë 29.07.2023-18:00. Raportohet se viktima mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raportin e policisë.
Rasti tjetër është që një person i gjinisë mashkullore ka vdekur në QKUK, aty po trajtohej nga data 21 qershor e këtij viti. Rasti në polici është hapur si “lëndim i rëndë trupor me pasojë vdekje”.
“Kamenicë 21.06.2023 – 15:00. Lidhur me rastin, nga QKUK është informuar se viktima mashkull kosovar, i cili ishte duke u trajtuar, kishte ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, njofton Policia e Kosovës.
Rasti i fundit është cilësuar si “vdekje e dyshimtë”, e cila ka ndodhur në Prizren. Një person i gjinisë mashkullore është gjetur pa shenja jete në banesën e tij.
“Prizren 29.07.2023 – 12:04. Viktima mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete në banesën e tij. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, njofton policia.