Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka mirëpritur vendimin e kryeparlamentarit Glauk Konjufca për ta dërguar Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës në Komisionin e Venecias.
Sipas Rohdes, ky veprim do të sigurojë që ligji të jetë në harmoni me standardet e Bashkimit Evropian.
“Vërtet lëvizja e duhur. Ndjekja e rekomandimeve të Komisionit të Venecias të KiE-së do të sigurojë që ligji të jetë në sinkron me standardet evropiane”, ka thënë ai.
Indeeed the right move. Following the recommendations of the CoE’s Venice Commission will ensure that the Law is in sync with European standards https://t.co/Z9Ogxzzy9Q
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) July 31, 2023
Ndryshe, Kuvendi ka njoftuar të dielën se Konjufca ka kërkuar opinion të tërësishëm mbi Projektligjin, pasi Drafti është ndryshuar që nga vlerësimi i Komisionit të Venecias.
“Në përputhje me përgjegjësitë e tij kushtetuese, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka dërguar për mendim në Komisionin e Venecias Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës. I njëjti është proceduar në Kuvend ditë më parë nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Duke qenë se drafti ka pësuar ndryshime që nga vlerësimi i Komisionit të Venecias, kryetari Konjufca ka kërkuar opinion për projektligjin në tërësi, duke e konsideruar si vendimtare në arritjen e objektivit për reformim të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe adresimit të shqetësimeve dhe çështjeve të ngritura më parë. Si shtet anëtar i Komisionit të Venecias, Kosova mbetet e përkushtuar ndaj respektimit të parimeve themelore të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.