Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, njofton se gjatë kësaj të hëne ka pritur në takim delegacionin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, kryesuar nga Mark Horton, zëvendësdrejtor i Departamentit Evropian dhe Gabriel Di Bella, shef i Misionit të FMN-së për Kosovë.
“Në fokus të bisedës ishte rritja stabile ekonomike e Kosovës sipas parashikimit prej 4%, rënia e normës së inflacionit, zhvillimet në sektorin financiar, si dhe orientimi i duhur i politikave ekonomike të udhëhequra nga Qeveria e Kosovës”, njofton Kusari-Lila.
Po ashtu, në këtë takim u diskutua edhe për rolin e Kuvendit në miratimin e agjendës legjislative me fokus të veçantë në Marrëveshjet Ndërkombëtare, si dhe projektligjet, të cilat shtyejnë reformat përpara.
Në këtë takim u diskutua edhe për bashkëpunimin e deritanishëm dhe raportet e Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe u shkëmbyen pikëpamje në lidhje me mundësitë zhvillimore, perspektivën e kornizës rregullative, e cila forcon stabilitetin financiar, disiplinën fiskale dhe avancon reformat ekonomike.