Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, vizituan sot Drejtorinë Rajonale të Mitrovicës së Veriut dhe u takuan me ushtruesin e detyrës së drejtorit rajonal, Veton Elshani.
Këtë e bëri të ditur vetë ministri Sveçla përmes një postimi.
“Besueshmëria e krijuar ndaj Policisë dhe siguria ndaj qytetarëve që po e ofrojnë zyrtarët tanë policorë ka reflektuar në raportim dhe trajtim efikas të rasteve. Padyshim që Policia vazhdon të mbetet institucioni më i besueshëm dhe çdo ditë po ndikon në rritjen e përceptimit të sigurisë te të gjitha komunitetet dhe kjo është vërtetuar së fundmi edhe nga përgjigjet e qytetarëve tanë serbë në raporte ndërkombëtare kredibile, ku ka rritje për 18.61 % që nga nëntori i vitit të kaluar”, ka shkruar Sveçla.
Sveçla ka thënë se në pjesën e dytë të vizitës ishin në komunën e Mitrovicës së Veriut dhe pas takimit me kryetarin Erden Atiq, vizituan depot ilegale të inerteve, si dhe lagjen e Boshnjakëve.
“Lirimi i hapësirave publike që ishin uzurpuar ndër vite dhe krijimi i hapësirave të shfrytëzueshme për qytetarët po trajtohen me prioritet nga komuna. Ndërsa, siguria, shëndeti dhe mirëqenia e qytetarëve në atë komunë vazhdon të mbetet prioriteti ynë i përbashkët si nivel qëndror dhe lokal”, ka shtuar ai.