Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Sipas tij, qytetarët po e shohin LDK-në si alternativë, në mënyrë që vendit t’i jepet kahje drejt rrugës euroatlantike.
Ai ka deklaruar se në bazë të sondazheve që kanë bërë, mbështetja e qytetarëve është rritur nga viti në vit për këtë parti, jo vetëm në kryeqytet, por edhe në nivel vendi.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë se LDK-ja ka shifra inkurajuese për shkak të ndryshimeve dhe reformave që ka bërë.
“Nuk është çështje e gatishmërisë sonë, është çështje që Kosova ka nevojë për një rrugë të re, për këtë ne e kemi diskutuar kur jemi pyetur që ka një tendencë që pushteti të na thotë që nuk e kemi të sinqertë kërkesën për zgjedhje apo po frikohemi se ata janë në shifra shumë të larta”, është shprehur Rukqi.
“Ne normalisht kemi nxjerrë disa nga të dhënat që ne i marrim rregullisht dhe një ndër to është edhe kryeqyteti i Prishtinës, që për hir të së vërtetës është një indikator i rëndësishëm për shkak se kryeqyteti është një përcaktues pastaj edhe i trendeve politike, ekonomike, shoqërore në vend. Është inkurajuese që kemi një rritje goxha të madhe nga viti në vit dhe besoj që kjo do të jetë e shprehur edhe në nivel vendi”, ka deklaruar tutje ai për EO.
Po ashtu, ai ka thënë se Kosova ka ngecur në vitet e fundit.
“Unë mendoj që këtu ka kapacitet, ka ide, ka program dhe ka besoj vullnet politik për me i dërguar krejt këto procese që kanë ngecur, ato që janë bllokuar të zhbllokohen dhe pjesën tjetër pastaj me i shty tutje”, ka thënë ai.
LEXO EDHE: Abdixhiku akuzon Qeverinë: Polarizimi i shoqërisë sonë s’ka të ndalur
Ndryshe, të hënën, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është shprehur i shqetësuar për “ekzistencën e një polarizimi të thellë të shoqërisë kosovare dhe e ka paraqitur [Rrugën e Re] si një rrugëdalje të mundshme për të ardhmen e vendit”.
Abdixhiku ka theksuar se polarizimi i shoqërisë ka vazhduar të rritet dhe se pushteti aktual po e ndan dhe përçan popullatën në vend.