Të martën ka vazhduar seanca gjyqësore ndaj Dardan Krivaqës dhe Arber Sejdiut, që akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit.
Ky shqyrtim gjyqësor është destinuar për fjalën përfundimtare.
I pari ka folur prokurori i rastit, Valdet Avdiu, i cili ka bërë një përmbledhje nga seancat e kaluara, dëshmitarët dhe provat.
Pas tij, fjalën përfundimtare e pati avokati i familjes Osmani, Gazmend Rexhepi, i cili ka thënë se të akuzuarit Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu të dënohen me burgim të përjetshëm.
Rexhepi ka thënë se deklaratat e Sejdiut nuk përputhen me provat e gjetura në vendin e ngjarjes ku u vra dhe u dhunua Marigona Osmani.
Avokati theksoi se në video-incizimet e siguruara pamjet janë të tmerrshme.
“E përkrahu fjalën përfundimtare të prokurorit, dhe mendoj se ky rast është sqaruar mjaftueshëm. Në kuptimin e provave, dëshmitarëve, raporteve të mjekësisë ligjore. Në fjalën hyrëse Krivaqa ka deklaru, se nuk jam i pafajshëm, po jo bash krejt qysh po thotë prokurori. E pastaj me administrimin e provave e kemi pa se jo qysh po thotë prokurori po edhe ma keq edhe ma e vrazhdë, edhe ma e rëndë se që po thotë prokurori. Ne video incizim ka dalë shumë ma tmerr. Nuk përputhen deklaratat e Sejdiut me provat e gjetura. Ai thoshte kemi pi kokainë, aty është gjetur [tavadoll]. Tu i pa lëndimet e viktimës sipas raporteve, aty ka qenë vrasje mizore. Besoj se janë plotësuar kushtet që të akuzuarit të shpallën fajtorë dhe të dënohen siç e parasheh ligji me dënim kapital, të përjetshëm”, tha ai.
Aktgjykimi për këtë rast do të zhvillohet më 4 gusht të këtij viti.