Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se kanë pezulluar pëlqimin mjedisor për ndërtimin e një inceneratori për trajtimin e mbeturinave në qytetin e Ferizajt.
Ai tha se ministria që drejton, në dhjetor të vitit të kaluar i kishte lëshuar pëlqimin mjedisor një kompanie për incenerator në fshatin Varosh të Ferizajt, për djegien e rreth 100 mijë tonë mbeturinave në vit.
Kjo, sipas tij, ishte bërë në kundërshtim të rregullave, sepse sipas tij do ta dëmtonte ambientin.
Aliu tregon se kjo kompani i ka zënë në befasi, pasi vetë nuk ishte paralajmëruar se dikush posedon pëlqim mjedisor për ndërtimin e një inceneratori.
“Në maj befas na vjen një kompani dhe thotë se ne kemi marrë pëlqim nga ju për trajtim termik të mbeturinave, e po ashtu kemi marre leje ndertimore në Komunën e Ferizajt dhe në Ferizaj do të ndërtojmë incerinator” ka thënë ministri Aliu.
Ministri Aliu tregon se nuk ka qenë në dijeni që një kompanie i është lëshuar pëlqim mjedisor për ndërtimin e një inceneratori. Pas auditimit që ministria ka bërë, Aliu tregon që komisioni i cili e ka lëshuar pëlqimin, është shkarkuar.