Mc Kresha dhe Lyrical Son kanë performuar gjatë mbrëmjes së 31 korrikut, në koncertin kushtuar mërgimtarëve, “Muaji i Mërgatës” në Drenas.
Kresha është penguar gjatë performimit nga një person i cili ka hedhur një shkrepës drejt tij.
Kjo ka revoltuar MC Kreshën, i cili në moment ka ndaluar performancën e tyre, duke thënë se kjo nuk është mënyra se si tregohet dashuri për artistin.
Reperi madje ka theksuar se për këtë performancë dy artistët nuk ishin paguar dhe u largua në mes të performancës. Ai u ndoq edhe nga Lyrical Son.
“Ndale ndale, Drenas nëse doni me tregu dashni nuk është dashni duke e gjuajtur artistin me shkrepës, nëse mendoni se kemi ardhur për para për të kënduar, ne kemi ardhur pa para për të kënduar, faleminderit”, ka thënë reperi.
Kujtojmë që trendi i hedhjes së gjësendeve në skenë nga fansat teksa artistët performojnë është një dukuri e shprehur në të gjithë botën.
Rreth një muaj më parë ylli shqiptar me famë botërore, Bebe Rexha, u godit me telefon në fytyrë që i shkaktoi lëndim dhe mavijosje afër syrit.