Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur në favor të zbatimit të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në vend.
Kjo ka ndodhur pas kërkesës së parashtruar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili kërkoi që lista e marrëveshjeve dhe e instrumenteve ndërkombëtare të aplikueshme në Kosovë të përfshijë edhe këtë konventë.
“Gjykata, njëzëri ka vendosur që të (i) deklarojë kërkesën të pranueshme dhe të konstatojë që (ii) amendamenti i propozuar i nenit 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] të Kushtetutës, përmes të cilit, listës së marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare drejtpërdrejtë të aplikueshme në Republikën e Kosovës i shtohet edhe Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, nuk pakëson të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] të Kushtetutës”, thuhet në njoftim.
Sipas Kushtetueses, kërkesa është parashtruar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe është dorëzuar në Gjykatë, më 21 dhjetor 2022, bazuar në paragrafin 9 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, sipas të cilit, kryetari i Kuvendit duhet të referojë amendamentet kushtetuese të propozuara për vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese para miratimit në Kuvend, me qëllim që të konstatohet nëse amendamenti i propozuar kushtetues i pakëson të drejtat dhe liritë e garantuara me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] të Kushtetutës.
Gjykata Kushtetuese ka theksuar se Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara përcakton disa parime kryesore që duhet të respektohen për të garantuar të drejtat e kësaj kategorie të popullsisë.
Këto përfshijnë respektimin e dinjitetit natyror dhe të autonomisë individuale, lirinë për të bërë zgjedhje personale dhe pavarësinë e personave me aftësi të kufizuara.
Gjithashtu, parimet e Konventës përfshijnë detyrimet për mosdiskriminim, pjesëmarrjen dhe përfshirjen e plotë dhe efektive të personave me aftësi të kufizuara në shoqëri, si dhe respektimin e ndryshimit dhe pranimin e tyre si pjesë e diversitetit njerëzor dhe humanizmit.