Fitues të ‘Eurovision 2022’, është zgjedhur grupi Kalush Orchestra nga Ukraina, të cilët përfaqësuan vendin e tyre me këngën “Stefiania”.
Kënga fituese, e cila përzien repin me elementë të muzikës popullore ukrainase, është shkruar fillimisht për nder të nënave të grupit. Më pas, grupi ua ka ridedikuar të gjithë matriarkëve në Ukrainë, pasi rreshtat si “unë gjithmonë do ta gjej rrugën time për në shtëpi, edhe nëse të gjitha rrugët janë shkatërruar” kanë bërë jehonë të madhe.
Gjashtë burrat që përbëjnë grupin duhej të merrnin leje speciale për t’u larguar nga Ukraina dhe për të udhëtuar në Itali gjatë luftës, shkruan The Guardian, transmeton Portali D.
Ngjarja më e madhe e muzikës ‘Eurovision’, e cila këtë vit është mbajtur në “Pala Alpitour” të Torinos në Itali, duke mirëpritur në finale plot 25 shtete, pesë prej të cilave u kualifikuan automatikisht dhe 20 të tjera që arritën kualifikimin nga netët gjysmëfinale.
Nga votimi i shteteve në fillim, ishte duke triumfuar në vendin e parë Britania e Madhe, por votat e shumta të publikut për Ukrainën e përmbysën rezultatin, dhe doli e para kështu duke u zgjedhur kënga fituese.
Shteti ukrainas kishte marrë pikët më maksimale të mundshme nga votuesit mbarë evropianë.
Fitorja e Ukrainës nga shtete por edhe publiku mbarë botës treguan se sa duan paqe dhe liri ndaj saj, pothuajse çdo fillim i prezantimeve të pikëve nga shtetet fillonte me mbështetje ndaj Ukrainës.
Presidenti Ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, një ditë para natës finale u ka bërë thirrje të gjithë votuesve të Eurovisionit të mbështesin kandidatët ukrainas nga Kievi, duke u shprehur në fund do të dëgjohet fjala fitore.
Por, përveç këngës e cila është pëlqyer, që nga fillimi i shfaqjeve të këngëve konkurruese është komentuar shpesh se shtetet evropiane do të tregojnë një konsideratë të veçantë për shkak të krizës në Ukrainë, që akoma është në mes luftës së vazhdueshme me agresorin rus.
Vendin e dytë në këtë vit e mori Britania e Madhe, e cila ishte shumë afër fitores, vendin e tretë e mori Spanja, vendin e katërt Suedia dhe vendin e pestë Serbia.
Ndërkaq, Shqipëria në ‘Eurovision 2022’, u përfaqësua nga këngëtarja, Ronela Hajati, me këngën “Sekret”, e cila mori shumë dëgjime por nuk arriti të dërgonte Shqipërinë në finalen e madhe.
Tani, do të presim vitin e ardhshëm, për të parë se deri ku do të arrijnë shtetet në ‘Eurovision 2023’ i cili do të mbahet në Ukrainë, në të cilën ata shpresojnë që kriza e luftës të pëfundojë dhe të mbahet konkursi i 67 i ‘Eurovision’.