Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, pas vendimit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për nisjen e procedurave ligjore për largimin e kryetarëve aktualë në katër komunat veriore dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja, ka thënë se është i gatshëm të japë dorëheqje nëse ka premisa se këto zgjedhje do të dalin të sukseshme.
Në emisionin “FIVE”, Zeqiri ka thënë se interesi shtetëror dhe ai i qytetarëve është prioritet, prandaj ai është shprehur i gatshëm të përshtatet dhe të jetë përkrah cfarëdo vendimi që merr qeveria.
“Unë jam i gatshëm të jap dorëheqje, nëse është prioritet interesi shtetëror, do të jem përkrah interesave të qytetarëve. Ky vendim megjithatë është i organeve të qeverisë dhe çfarëdo forme do t’i përshtatem”, ka thënë Zeqiri.
Ndryshe, të martën e 1 gushtit, kanë nisur procedurat ligjore për largimin e kryetarëve aktualë në katër komunat veriore dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.
Përmes një vendimi të lëshuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, është caktuar grupi punues për hartimin e udhëzimit administrativ “për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave”.
Grupi punues përbëhet nga 11 anëtarë, derisa në vendim thuhet se në procesin e hartimit të projekt-udhëzimit administrativ mbështetet nga kabineti i Ministrit të MAPL-së, Zyra e BE-së në Kosovë, përfaqësues nga ambasadat e akredituara në Republikën e Kosovës dhe OSBE-ja.
“Grupi punues është përgjegjës për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave. Grupi punues duhet të finalizojë projekt-udhëzimin administrativ dhe ta procedojë te Zyra e Sekretarit të përgjithshëm të MAPL-së deri më datën 01 shtator 2023”, thuhet në njoftim.
Lexo edhe: Qeveria fillon procedurat ligjore për largimin e kryetarëve në veri (DOKUMENT)