Një sulm me dron rus ka goditur portin dhe objektet industriale në jug të rajonit Odesa të Ukrainës në Detin e Zi, duke shkaktuar zjarre, kanë bërë të ditur autoritetet në Ukrainë.
Një rezervuar me drithëra është dëmtuar sipas kreut rajonal Oleh Kiper, i cili nuk dha detaje të mëtejshme.
Forcat ajrore të Ukrainës më herët thanë se dronët rusë po shkonin drejt Izmail, një port kyç në lumin Danub, raporton BBC.
Rusia ka vënë në shënjestër portet e Ukrainës që kur braktisi një marrëveshje të madhe të OKB-së që lejonte Kievin të eksportonte drithërat e tij.
Kiper tha se personeli i shërbimeve të urgjencës po punonte në vendin e sulmit të fundit rus dhe nuk është raportuar për viktima.
Ai shtoi se informacione të mëtejshme do të jepen nga ushtria ukrainase.
Krerët rajonalë të Ukrainës nuk kanë dhënë detaje për vendndodhjen e ndonjë objektivi të goditur pa një autorizim të tillë.
Pas tërheqjes nga marrëveshja e grurit, Rusia kërcënoi se do të synonte çdo anije që shkonte drejt porteve të Detit të Zi të Ukrainës – duke vendosur de fakto një bllokadë detare.