Krahas piramidave, Sfinksit dhe mumjeve, një nga zbulimet më intriguese nga civilizimi i lashtë egjiptian, është një formë e shkrimit që duket si fotografi e stilizuar e njerëzve, kafshëve dhe sendeve.
Shkrimet hieroglife, emri i të cilave vjen nga hieroglifikos, që në greqishten e lashtë do të thotë “gdhendje e shenjtë”, janë gjetur të gdhendura në mure guri më shumë se pesë mijë vjet më parë, dhe janë përdorur deri në shekullin IV pas Krishtit.
Egjiptianët zbukuruan me anë të tyre brendinë e tempujve, monumentet dhe varret. Ata shkruanin me to nëpër papiruse, një letër antike e prodhuar nga kallamishtet.
Hieroglifet përdorin figura, por nuk janë arte figurative
Për shkak se simbolet e përdorura në shkrimet hieroglifike, duken si foto të vogla të njerëzve, kafshëve dhe objekteve, është e lehtë të supozohet se hieroglifet i përfaqësojnë ato gjëra. Por, në fakt, disa hieroglife tregojnë fonemat në gjuhën e lashtë egjiptiane, ashtu si disa germa në alfabetin romak.
Ky lloj shkrimi është i lidhur me varret e elitës drejtuese
“Shkrimet më të hershme hieroglifike, gjenden zakonisht në varre mbretërore në Abidos”, ka thënë Peter F.Dorman, profesor në Institutin Oriental të Universitetit të Çikagos.
“Meqë hieroglifet janë piktoreske, lidhja e tyre me artin e hershëm zyrtar është shumë e fortë, dhe veçanërisht atashimi me mbretin, që mund të shihet te monumentet përkujtimore të vendosura në tempujt më të hershëm”- ka thënë ai.
Sipas Dorman, edhe pse sistemi u përdor edhe për lloje të tjera të shkrimit, hieroglifët nuk e humbën asnjëherë lidhjen e tyre fillestare me kontekstet elitare në mjediset përkujtimore si tempujt dhe varret.
Njerëzit që ishin mbretër, përdornin ndonjëherë edhe hieroglifet në varret dhe monumentet e tyre private, por me kushtin që të ishin mjaftueshëm të pasura për ta përballuar pagesën e gdhendësve të gurit.
Egjiptianët e lashtë përdornin forma të tjera të shkrimit
Për shkak se shkrimet hieroglife ishin shumë të ndërlikuara, egjiptianët e lashtë zhvilluan edhe lloje të tjera shkrimit që ishin më të përshtatshme.
Shkrimi hieratik, që shkruhej në papirus me stilolaps ose furçë, apo mbi një copë guri gëlqeror të quajtur ostrakon, u shpik për t’u përdorur kryesisht në papirus, një material më i brishtë.
Por, Dorman ka theksuar se ai përdorej rrallë në monumentet zyrtare.
Demotik, një formë tjetër e të shkruarit që u zhvillua në vitet 800 para Krishtit, përdorej për dokumentet e përditshme, si dhe për veprat letrare.
Shkrimi hieroglif ka tipare të çuditshme
Shkrimet hieroglifike nuk kanë hapësira midis fjalëve dhe asnjë shenjë pikësimi. Kjo do të thotë që lexuesit duhet të kenë një zotërim të mirë të gramatikës së lashtë egjiptiane, dhe të dinë diçka mbi kontekstin e një mesazhi, që të jenë në gjendje të ndajnë veçmas fjalët, fjalitë, paragrafët dhe kapitujt.
Për më tepër, ndryshe nga anglishtja moderne, hieroglifet nuk lexohen domosdoshmërisht horizontalisht nga e majta në të djathtë.
Hieroglifet mund të shkruhen nga e majta në të djathtë, nga e djathta në të majtë, vertikalisht, apo edhe horizontalisht.
Pak egjiptianë mund të lexonin shkrimet hieroglifike
Xhejms P.Alen në librin e tij “Egjipti i Mesëm: Hyrje në gjuhën dhe kulturën e hieroglifëve”, ka thënë se në fazat e mëvonshme të civilizimit të lashtë egjiptian, vetëm priftërinjtë ishin në gjendje t’i lexonin shkrimet hieroglifike.
“Mbishkrimet që synonin të kishin një audiencë më të madhe, u gdhendën me shkrimin e stilit demotik”, ka shkruar ai.
Shkrimi hieroglif “vdiq” gradualisht
Meqë Ptolemejtë, të cilët ishin me origjinë maqedonase, filluan ta sundonin Egjiptin në vitet 300 para Krishtit, greqishtja e zëvendësoi egjiptianishten si gjuhë zyrtare e oborrit mbretëror.
Rreth 600 vjet më vonë, në vitin 384 pas Krishtit, Perandori Romak i Krishterë, Teodosi, miratoi një dekret që ndalonte praktimin e feve pagane në Egjipt, dhe ai moment ishte fillimi, dhe fundi të përdorimit të hieroglifeve.
Guri i Rozetës çoi në një zhvillim historik
Në vitin 1799, ushtarët francezë që shërbenin nën Napoleonin në Egjipt, dhe që ishin duke riparuar një fortesë në qytetin Rashid (i njohur gjithashtu si Rozeta), zbuluan një pllakë guri që u bë e njohur si Guri i Rozetës.
Ajo përmbante shkrime në 3 lloj formash të ndryshme, shkrime hieroglife, demotike dhe nga greqishtja e lashtë.
Shkencëtari britanik, Tomas Jang, që ka filluar të studionte gurin në vitin 1814, arriti në përfundimin se disa nga simbolet ishin shqiptime fonetike të emrave mbretërorë.
Pastaj, gjatë viteve 1822-1832, gjuhëtari francez, Zhan-Fransua Shampolio, ka treguar se hieroglifet ishin një kombinim i simboleve fonetike dhe ideografike.
Ai ia doli që të deshifronte tekstin, që ishte një mesazh nga priftërinjtë egjiptianë për Ptolemeun V të shkruar në vitin 196 para Krishtit.
Shampolio pati sukses, falë studimit të tij të thellë mbi gjuhën koptike, që është faza e fundit e gjuhës egjiptiane.
Deshifrimi i hieroglifeve mbetet një sfidë
Përcaktimi i kuptimit të teksteve të shkruara me këtë lloj shkrimi, mbetet një sfidë e madhe për studiuesit, dhe kërkon një sasi të caktuar të interpretimit subjektiv.
Edhe leximi i tyre me zë të lartë nuk është i lehtë. “Problemi nuk qëndron dhe aq te përdorimi i shenjave fonetike, por më tepër te fakti që nuk është shkruar vokalizimi i plotë i egjiptianishtes së lashtë.
“Prandaj leximi i fjalëve dhe sidomos kompleksiteti i sistemit verbal egjiptian, mbeten tema hamendësimesh”-ka theksuar Dorman.
Marrë nga History, përshtatur nga Portali D.