Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka paralajmëruar hetim parlamentar lidhur me keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se keqpërdorimet dhe abuzimet eventuale me rezerva shtetërore, përkatësisht me produkte esenciale, kërkojnë qasje hetimore serioze dhe përmbajtjesore.
Në këtë kontekst, Gashi ka bërë të ditur se LDK-ja me fillimin e sesionit vjeshtor do të kërkojë që të formohet një Komision Hetimor Parlamentar për të hetuar këtë çështje.
“Kështu që, përveç hetimeve penale që duhet t’i bëjë Prokuroria e Shtetit për këto raste, ne konsiderojmë se është e domosdoshme që të kemi edhe hetim parlamentar për të parë nga afër se sa janë respektuar ligjet dhe procedurat për çështjen e rezervave shtetërore”, ka shkruar mes tjerash shefi i deputetëve të LDK-së.