Bashkimi Evropian (BE), ka njoftuar për zgjatjen e sanksioneve kundër Bjellorusisë për shkak të mbështetjes që Minsku i ofron agresionit rus kundër Ukrainës.
Blloku evropian ka thënë se objektivi i sanksioneve të reja është të parandalojnë shmangien e sanksioneve të vendosura paraprakisht kundër Rusisë.
Sanksionet e reja, siç ka raportuar REL, përfshijnë ndalesën e eksporteve të disa teknologjive, mallrave ushtarake, armëve të zjarrit dhe municioneve në Bjellorusi.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022. Moska ka përdorur territorin e Bjellorusisë për të nisur pushtimin.
Megjithatë, Minsku ka mohuar se është pjesë e luftës.
Që nga nisja e pushtimit, BE-ja ka zbatuar 11 runde të sanksioneve ndaj Rusisë, disa prej të cilave përfshijnë edhe masa kufizuese ndaj Bjellorusisë.
Edhe Shtetet e Bashkuara dhe shtete të tjera kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të luftës së paprovokuar ndaj Ukrainës.
Më 23 qershor, Këshilli i Bashkimit Evropian kishte miratuar pakon e 11-të të sanksioneve kundër Rusisë për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.
Në këtë pako zgjerohen disa kufizime të mëhershme dhe shtohen dhjetëra entitete të reja në listën e sanksioneve.
Përmes kësaj pakoje, Bashkimi Evropian po tenton t’ua pamundësojë vendeve dhe kompanive të tjera t’i anashkalojnë masat e vendosura më parë.
Këshilli i publikoi sanksionet pas miratimit të tyre, duke thënë se pakoja do të sigurojë që sanksionet e BE-së kundër Rusisë “të zbatohen edhe më mirë, bazuar në mësimet e nxjerra nga zbatimi i tyre gjatë vitit të kaluar”.
Sanksionet e fundit synojnë t’i mbyllin zbrazëtirat në atë mënyrë që mallrat dhe teknologjia kyçe për përpjekjet luftarake të Rusisë të mos arrijnë në Rusi nëpërmjet vendeve që tregtojnë me BE-në.
Pakoja ndër të tjera përfshin pezullimin e licencave të transmetimit të BE-së për pesë media të tjera shtetërore ruse të kontrolluara, duke e çuar numrin total të mediave në dhjetë.
Për më tepër, pakoja ndalon hyrjen në portet e BE-së për anijet që angazhohen në transferimin e naftës së papërpunuar ose të produkteve të naftës në det, nëse ka arsye për të dyshuar se ngarkesa ka origjinë ruse.
Këshilli i BE-së kishte njoftuar se ka shtuar 87 entitete të reja në listën e sanksioneve, për të cilat BE-ja thotë se “po e mbështesin drejtpërdrejt kompleksin ushtarak dhe industrial të Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës”.
Këto kompani, sipas BE-së, janë të regjistruara në Kinë, Uzbekistan, Emiratet e Bashkuara Arabe, Siri dhe Armeni.