Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se që nga ditë e premte(nesër) do të ulin prezencën e Policisë së Kosovës edhe me 25 për qind brenda dhe përreth ndërtesave komunale.
Sveçla ka thënë se Kosova është dukë zbatuar Marrëveshjen e Bratislavës.
“Policia e Kosovës ka mbajtur një takim me EULEX-in dhe KFOR-in, siç është paraparë me pikën 2 të marrëveshjes së Bratislavës. Konkluzioni i vlerësimit të përbashkët të sigurisë është se situata është e qetë. Nga nesër do të ulim prezencën e policisë edhe me 25% brenda dhe përreth ndërtesave komunale. Kosova po zbaton zotimet nga marrëveshja e Bratislavës dhe po vazhdon të kontribuojë pozitivisht në de-përshkallëzimin”, ka shkruar Sveçla në Twitter.
2/2 Kosova is implementing commitments from the Bratislava agreement & continuing to contribute positively to de-escalation.
— Xhelal Sveçla (@XSvecla) August 3, 2023
Gjithashtu, edhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka reaguar lidhur me lajmin se Policia e Kosovës do të reduktojë praninë e saj me 25 për qind në dhe rreth objekteve komunale në veri të Kosovës, pas takimit me EULEX-in dhe KFOR-in.
Në postimin e tij në rrjetin social, Twitter, ai ka shprehur kënaqësinë e tij për vlerësimin e parë të sigurisë ndërmjet Policisë së Kosovës dhe NATO-s, KFOR-it, siç është rënë dakord në Bratislavë.
Ai gjithashtu e ka quajtur këtë hap një progres të rëndësishëm drejt deeskalimit të plotë të tensioneve në veri të Kosovës.
“E mirëpres vlerësimin e parë të përbashkët të sotëm të sigurisë ndërmjet Policisë së Kosovës, dhe NATO-s, KFOR-it siç është rënë dakord në Bratislavë. Ky është një hap i rëndësishëm drejt deeskalimit të plotë të tensioneve në veri të Kosovës”, ka shkruar ai në rrjetin social Twitter.