Donald Trump është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave federale se ka orkestruar një komplot për përmbysjen e humbjes së tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në Shtetet e Bashkuara.
Prokurori i Posaçëm, Jack Smith, i cili ka udhëhequr hetimin ndaj asaj që prokurorët amerikanë e quajnë përpjekje të paprecedente nga presidenti i atëhershëm për të minuar shtyllat e demokracisë amerikane, ka shikuar nga rreshti i parë i sallës së një gjykate në Uashington, në pasditen e së enjtes (sipas kohës lokale), teksa Trump ka thënë se ndihet i pafajshëm, duke qëndruar para gjyqtarit Moxila Upadhyaya.
“S’jam fajtor”, ka thënë Trump, duke theksuar fjalën e parë.
Paraqitja e Trumpit në gjyq, e cila ka zgjatur rreth gjysmë ore, më 3 gusht, ka ndodhur vetëm një kilometër larg ndërtesës së Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilën mbështetësit e tij e sulmuan më 6 janar të vitit 2021, në përpjekje për ta ndalur certifikimin e disfatës së tij zgjedhore nga legjislativi amerikan.
Deklarimi i Trumpit si i pafajshëm në gjyq – hera e tretë që ai bën një gjë të tillë në katër muajt e fundit – ka nisur një betejë disamujore gjyqësore, e cila do të zhvillohet në kohën e fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, në të cilat Trump është favorit për të siguruar nominimin nga Partia Republikane për ta sfiduar presidentin aktual, demokratin Joe Biden.
Në një aktakuzë prej 45 faqesh, të publikuar të martën, Smith ka akuzuar Trumpin dhe aleatët e tij për mbështetje të pohimeve të rreme se zgjedhjet e vitit 2020 ishin manipuluar, duke u bërë trysni zyrtarëve shtetërorë dhe federalë që të ndryshonin rezultatet dhe t’ia merrnin votat elektorale Bidenit.
Kur deputeti i gjykatës lexoi me zë të lartë emrin e çështjes – “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër Donald J. Trump” – ish-presidenti tundi kokën në shenjë mosmiratimi.
Trump, 77 vjeçar, akuzohet, ndër të tjera, për konspiracion për mashtrimin e SHBA-së, për privimin e qytetarëve nga e drejta e tyre për t’iu numëruar votat, dhe për pengimin e një procesi zyrtar. Akuza më serioze parasheh dënim me burgim prej 20 vjetësh, raporton Reuters.
Seanca e radhës në gjyq do të jetë më 28 gusht, para gjyqtares Tanya Chutkan, ndonëse Upadhyaya ka thënë se Trump nuk është i obliguar të marrë pjesë. Chutkan synon të caktojë një datë për gjykimin e Trumpit atë ditë, ka thënë Upadhyaya.
Seanca e 28 gushtit do të zhvillohet pesë ditë pas debatit të parë të planifikuar mes kandidatëve republikanë për president. Trump ende nuk ka thënë nëse do të marrë pjesë në të.
Trump e ka portretizuar aktakuzën, si dhe rastet e tjera penale kundër tij, si një “gjueti shtrigash” që synon të prishë fushatën e tij në Shtëpinë e Bardhë. Në një seri postimesh në mediat sociale që nga e marta, ai ka akuzuar administratën Biden se e ka synuar atë për përfitime politike.
Ai më parë u deklarua i pafajshëm për akuzat federale se ai mbajti dokumente të klasifikuara pas largimit nga detyra dhe akuzat e shtetit të Nju Jorkut se ai falsifikoi dokumente në lidhje me pagesat e parave të heshtura për një yll porno.
Ai së shpejti mund të përballet me më shumë akuza në Gjeorgji, ku një prokuror i shtetit po heton përpjekjet e tij për të përmbysur zgjedhjet atje. Prokurorja e zonës së Atlantës, Fani Willis, ka thënë se do të ngrejë aktakuza deri në mes të gushtit.