I akuzuari Driton Maloku nga Prishtina, me vendbanim në Zvicër, e ka pranuar fajësinë lidhur me akuzat për kanosje ndaj deputetes së Kuvendit të Kosovës, Ganimete Musliu. Kjo e fundit gjatë deklarimit të saj ka thënë se i akuzuari nuk ishte i sinqertë kur pranoi fajësinë.
“E pranoj edhe…ka qenë gjendje emocionale, edhe që s’votoj për Kosovën që 20 vjet, 2000- tën kam votuar një herë në jetën time në Kosovë, nuk merrna me politikë më vjen keq, ka qenë gjendje emocionale dhe i kërkoj falje deputetes”, tha i akuzuari Maloku.
Ndërsa, e dëmtuara Musliu tha se vlerësonte iniciativën për kërkim falje nga ana e të akuzuarit Maloku, por sipas saj, pranimi i fajësisë ishte i pasinqertë.
“E vlerësoj iniciativën për kërkim falje, por edhe unë vërejta josinqeritetin në kërkim falje, ky pranim i fajësisë është i pasinqertë”, tha e dëmtuara Musliu.
E njëjta po ashtu tha se përveç kanosjes me jetë, i akuzuari Maloku kishte tentuar edhe ta shantazhojë sepse mesazhi që kishte pranuar, sipas të njëjtës, kishte përmbajtje shantazhuese që të mos paraqiste rastin para organeve të drejtësisë.
Ndërsa, edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Faton Fetahu tha se e kundërshtojnë në tërësi pranimin e fajësisë, pasi nuk ishte i sinqertë, duke kërkuar nga gjykata mosaprovimin e pranimit të fajësisë, sepse i akuzuari Maloku nuk kishte kanosur një person të zakonshëm, por një deputete të popullit në Kuvendin e Kosovës.
Po ashtu, i njëjti tha se dukuria e kanosjes së figurave të larta shtetërore ishte në rritje të vazhdueshme dhe në këtë rast avokati kërkoi nga gjykata që t’i japë përgjigje kësaj dukurie përmes gjykimit të këtij rasti, i cili do të shërbejë si shembull i mirë i praktikës gjyqësore, ku personat të cilët me dashje kanosin të përzgjedhurit e popullit të marrin dënim meritor.
Paraprakisht, mbrojtësi i të akuzuarit Maloku, avokati Skender Musa, tha se pranimi fajësisë ishte bërë në përputhje me dispozitat ligjore dhe pas një konsultimi të mjaftueshëm me të mbrojturin e tij.
Avokati Musa po ashtu kërkoi nga gjykata se gjatë matjes së dënimit që të kenë parasysh faktin e pranimit të fajësisë, shprehjes së keqardhjes, kërkim faljes, duke i propozuar gjykatës që ndaj të akuzuarit Maloku të shqiptohet një dënim i kushtëzuar sepse nuk ekziston rreziku që i njëjti të përsërisë vepër të ngjashme.
Ndërsa, pranimi i fajësisë nuk u kundërshtua as nga prokurorja Zana Sadiku-Sertolli, e cila gjykatës i propozoi që të njëjtin ta shpallë fajtor dhe t’i shqiptojë dënim meritor, duke marrë parasysh si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë, ndërsa si rrethanë rënduese të marrë parasysh shkallën e dashjes për të kryer veprën penale.
Pranimi i fajësisë u aprovua nga gjykatësi Driton Berisha, pasi ishin plotësuar kushtet ligjore, dhe se që sipas tij, nuk kishte shkelje ligjore.
Shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë çështje penale do të bëhet më 7 gusht 2023.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 18 maj 2023, me datë 23 dhjetor 2022 rreth orës 17:16, derisa e dëmtuara Ganimete Musliu ishte në veturën e saj në lagjen e “Spitalit” në Prishtinë, i akuzuari Driton Maloku përmes telefonit mobil e kanos të dëmtuarën Ganimete Musliu në cilësinë e deputetes së Kuvendit të Kosovës me fjalë “A je ti Ganimetja, ty duhet me të zhduk” e pas disa minutash rreth orës 17:35 i dërgon një mesazh përmes telefonit mobil me tekstin “Përshëndetje Ganimete, A je duke ma kryer atë punë, me shti atë personin në punë për çka je paguar a po i kthen ato 20,000.00 euro që m’i ke marrë për me kry punë”, me çka tek e dëmtuara Ganimete Musliu ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetën dhe trupin e saj.
Me këtë, i akuzuari Maloku akuzohet se ka kryer veprën penale kanosja nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Dënimi maksimal për këtë vepër penale parashihet pesë vjet burgim./BetimipërDrejtësi.