Drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi, ka folur në emisionin ”Dueli Sportiv” në RTV Dukagjini pas eliminimit të ‘Intelektualëve’ nga Conference League.
Ai ka thënë se futbollistët dhanë maksimumin në dy paraqitjet kundër Viktoria Plzen.
Sipas tij, nëse do të kishin pak më shumë fat atëherë do të eliminonin skuadrën çeke.
”Djemtë dhanë më shumë se maksimumin, përkrahja ishte e madhe nga të gjithë. Në momentin kur u ndal reflektori në stadium ishim më të mirë se kundërshtari. Me pak fat mendoj se do ta eliminonim Viktoria Plzen,” tha Zymberi.
Tutje, drejtori sportiv i Dritës ka pasur kritika edhe për ndarjen e drejtësisë.
”Në momente të caktuara si ekip më e vogël që ishim, jemi dëmtuar nga gjyqtari. Në këto sekuenca të vogla që mendoj jemi dëmtuar, ka bërë që kalimi tutje të jetë i pamundur,” tha ai.
Kujtojmë se Drita u eliminua nga raundi i dytë kualifikues i Conference League, pasi humbi me rezultat 1-2 në ‘Fadil Vokrri’ ndaj Viktoria Plzen.
Ndeshja e parë në Çeki kishte përfunduar me rezultat të barabartë 0-0.