Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas aksionit të policisë në Mitrovicë të Veriut ku u konfiskuan pajisje për kultivimin e drogës, për kriptovaluta dhe armë.
Sveçla përmes një postimi në Facebook, ka thënë se luftimi i krimit të organizuar në çdo cep të vendit është prioritet teksa ka theksuar se për më shumë se 20 vjet, veriu i vendit kryesisht ka jetuar në ilegalitet.
“Luftimi i krimit të organizuar në çdo cep të vendit është prioritet i yni. Për më shumë se 20 vite, veriu i shtetit tonë kryesisht ka jetuar në ilegalitet. Grupet dhe veprimtaritë kriminale kanë lulëzuar e paradoksalisht kanë qenë normaliteti. Ky realitet i mëparshëm po zbehet ditës-ditës. Qytetarët tanë pa dallim kërkojnë rend, ligj e siguri”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka thënë se ky rast është dëshmi e trefishtë për sulmet ndaj zyrtarëve policorë, pjesëtarëve të Kforit e Eulexit, gazetarëve dhe qytetarëve të zakonshëm.
Ai po ashtu ka thënë se është dëshmi lidhur me kontigjentin e kriminelëve argatë të idesë fashiste të “Vuçiçit: bota serbe. Bota serbe është gjithnjë e dizajnuar mbi krimin” si dhe ështe dëshmi e arsyes së vërtetë se “përse Vuçiçi dhe argatët e tij kundërshtojnë faturimin dhe pagesën e energjisë së shpenzuar”.
“Fakti i sotëm është dëshmi e trefishtë: Është një dëshmi më shumë për sulmet ndaj zyrtarëve tanë policorë, pjesëtarëve të Kforit e Eulexit, gazetarëve dhe qytetarëve të zakonshëm. Është dëshmi lidhur me kontigjentin e kriminelëve argatë të idesë fashiste të Vuçiçit: bota serbe. Bota serbe është gjithnjë e dizajnuar mbi krimin. Ështe dëshmi e arsyes së vërtetë se përse Vuçiçi dhe argatët e tij kundërshtojnë faturimin dhe pagesën e energjisë së shpenzuar”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se Kosova po punon progresivisht që pesha e krimit mos të bjerë mbi qytetarët e ndershëm të Republikës.
“Ndaj ne po punojmë progresivisht që pesha e krimit mos të bjerë mbi qytetarët e ndershëm të Republikës. Aksioni është arritur falë dhe bashkëpunimit të qytetarëve të pjesës veriore, në luftën ndaj krimit të organizuar si dhe besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të sigurisë. Kjo është një nga shembujt që mbështet të dhënat e raportit të UNDP-së. Në këtë raport theksohet se është rritur ndjenja e besueshmërisë dhe sigurisë tek qytetarët tanë të minoritetit serb”.
Tutje, ai ka thënë se për vite me radhë, në veri shteti është sfiduar nga ekstremistë e kriminelë ordinerë, të cilët sipas tij kanë patur dy motive: pasurimin e jashtëligjshëm dhe luftimin e shtetit të Kosovës.
“Adresa, shtysa dhe financimi gjithmonë mbetet në Beograd, ku Vuçiqi me bandat e kriminelët e tij ka tentuar dhe vijon të tentojë minimin dhe destabilizimin e shtetit tonë. Veriu po ecën drejt normalitetit. Serbia nuk do ta cenojë shtetin tonë në asnjë cep të vendit”.
Ndryshe, të hënën e 7 gushtit, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka kryer një operacion kundër drogës në një banesë në lagjen “Tre Rrokaqiejt” në Mitrovicë të Veriut.
Këtë e ka konfirmuar për Portalin Dukagjini, zëvendësdrejtori rajonal për veriun, Veton Elshani, i cili tha se gjatë aksionit janë konfiskuar edhe armë.
Ai ka thënë se i dyshuari serb nuk ka qenë në shtëpi gjatë kontrollit të policisë, në të cilën janë konfiskuar pajisje për laborator [droge], për kriptovaluta, shok-bomba, armë, municione.
“Banesa është shfrytëzuar nga S.M. [shtetas i Kosovës i nacionalitetit serb] janë gjetur dhe konfiskuar 60 kartela grafike, makina anti-miner S9, 13 ventilatorë, poça elektrik që shfrytëzohen për rritjen e bimëve të kanabisit, llambë elektrike për laborator, 51 fishekë , tetë shok-bomba të modifikuara. I dyshuari nuk ka qenë aty”, ka thënë Elshani.