Shok-bomba të cilat mund të jenë vdekjeprurëse, e mjete për kultivimin e drogës.
Këto janë disa pajisje ilegale që gjeti Policia e Kosovës në një banesë në Mitrovicë të veriut, gjatë një bastisje të kryer të hënën.
Veton Elshani, zv.drejtor i Rajonit të Policisë në Veri ka theksuar se “Shok-bombat i keni parë ju… Ato përpos që shpërthejnë, nëse izolohen në atë formë që i kemi parë ne dhe ka gozhda përreth tyre, atëherë ato janë vdekjeprurëse. A mund të përdoren ato, a mund të jenë përdorur edhe në Zveçan apo diku tjetër, kjo mbetet të hetohet”.
Zëvendës-drejtori i Policisë për rajonin e veriut të Kosovës, Veton Elshani, ka treguar se aty gjetën edhe shumë gjësende të tjera ilegale.
“Ka pasur një kontrollë bastisje e cila është zhvilluar aty. Me atë rast kemi gjetur makina anti-miner, këto që prodhojnë kriptovaluta, kartela grafike, ventilatorë të mëdhenjë, poça elektrikë, llampë elektrike, koka metali për llampa të cilat mund të shfrytëzohen për kultivimin e drogës, më saktësisht për rritjen e kanabisit po e zëmë, fishek 51 copë dhe shok-bomba të modifikuara me gozhda” ka theksuar Elshani.
Pas këtij aksioni, Elshani ka theksuar se do ta presin Prokurorinë për ta parë se si do ta kategorizojnë rastin.
E situata e sigurisë në veri, Elshani thotë se tash për tash është e qetë.
“Situata është e qetë për momentin, konsiderohet të jetë stabile, por është delikate. Sepse këto veprime të cilat ndërmerren, këto janë më shumë në bazë të veprimeve të ndryshme politike, apo urdhëresave që dikush mund t’i ketë nga dikush tjetër”, ka shtuar Elshani.
Policia e Kosovës tashmë ka ulur numrin e pjesëtarëve në veri të Kosovës për 50 përqind.