Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar pas dorëheqjes së Armend Mehaj, duke thënë se “truri po ikë nga Albin Kurti”.
Përmes një postimi në faqen e saj zyrtare në Facebook, Deliu thotë se para lejimit të dorëheqjes së Mehajt, është dashur të shkarkohen Rozeta Hajdari, Mimoza Kusari – Lila, e Martin Berishaj.
“Përndryshe, para Armendit, është dashur të shkarkohen e jo tu lejohet dorëheqja, Rozeta Hajdari, Mimoza Kusari – Lila, Martin Berishaj dhe nja 50 zyrtarë tjerë të përfshirë në afera korruptive e skandale të ndryshme”, ka shkruar Deliu.
Deliu e ka përmendur edhe fondin e sigurisë, ku i ka drejtuar pyetje kryeministrit se sa është shuma e mbledhur në të.