Aprovohet marrëveshja për pranim të fajësisë, dënohet me 11 muaj burgim me kusht i akuzuari për keqpërdorim të votave

Në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas aprovimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë nga ana e gjykatës, të arritur në mes të Prokurorisë dhe të akuzuarit Shpëtim Shala, i akuzuari është dënuar me dënim unik prej 11 muajsh burgim me kusht, lidhur me akuzën për keqpërdorim të votave në zgjedhjet e shkurtit 2021.

Aktgjykimi në fjalë u shpall të martën nga gjykatësi Musa Konxheli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, për veprën penale “Keqpërdorimi i të drejtës së votimit”, Shala u dënua me 6 muaj burgim, ndërsa për veprën penale “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes”, po ashtu, u dënua me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh.

Ndaj tij, u shqiptua dënimi unik me burgim në kohëzgjatje prej 11 muajsh, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale gjatë periudhës verifikuese prej 1 viti.

Sipas gjykatësit Konxheli, gjykata në bazë të marrëveshjes për pranim të fajësisë ka aprovuar edhe propozimin që dënimi plotësues i propozuar në aktakuzë ndaj të njëjtit të mos aplikohet.

Shala, po ashtu, u obligua që të paguajë edhe shpenzimet procedurale, dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 50 eurosh dhe 100 euro të tjera për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.

Sipas gjykatësit Konxheli, aktgjykimi do të bëhet i plotfuqishëm menjëherë pasi palët në procedurë kanë hequr dorë nga e drejta e ankesës.

Paraprakisht në këtë seancë, prokurori special Ilir Morina, ka thënë se si palë në procedurë kanë zhvilluar seancën e negocimit të marrëveshjes së pranimit të fajësisë bazuar në kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit Shala, i cili tha se seanca ka rezultuar me marrëveshje për pranim të fajësisë nga ana e të akuzuarit Shala.

Ai tha se dënimi i rekomanduar sipas kësaj marrëveshjeje, është dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh për veprën penale “Keqpërdorimi i të drejtës së votimit” dhe 6 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes”, kurse dënimi unik të jetë dënim me burgim në kohëzgjatje prej 11 muaj.

Gjithashtu, prokurori Morina tha se marrëveshja e pranimit të fajësisë ishte aprovuar nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, dhe i njëjti i propozoi gjykatës që këtë marrëveshje ta aprovojë, pasi tha se i plotëson të gjitha kushtet ligjore.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Shala, avokati Naim Rudari tha se qëndrojnë pranë marrëveshjes duke i propozuar gjykatës që të njëjtën ta aprovojë dhe të nxjerrë vendim në përputhje me marrëveshjen.

Ndërsa, i akuzuari Shala tha se marrëveshja për pranim fajësie ishte bërë me vullnet të plotë nga ana e tij dhe me konsultim të mjaftueshëm me mbrojtësin.

Më pas, marrëveshjen për pranim të fajësisë e ka aprovuar gjykatësi Konxheli dhe i njëjti shpalli aktgjykimin.

Ndryshe, në aktakuzë bashkë me Shalën akuzohen edhe ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkumbin Gashi, Kastriot Blakaj, Dardan Blakaj, Tahir Shala, Milot Blakaj dhe Sylë Balaj.

Në seancën e 26 janarit 2023, Gjykata kishte kërkuar rinegocim të marrëveshjes së arritur ndërmjet prokurorisë dhe të akuzuarit Milot Blakaj për keqpërdorim të votave. Më 31 janar, ishte aprovuar marrëveshja për pranim fajësie, ku i akuzuari ishte dënuar me 20 muaj burgim me kusht.

Ish-deputeti i LDK-së, Shkumbin Gashi, Kastriot Blakaj, Dardan Blakaj, Tahir Shala, dhe Sylë. Balaj, në seancën e 17 marsit 2023, ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën për keqpërdorim të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

I akuzuari Dardan Blakaj, në seancën e 24 prillit 2023, pas aprovimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë, ishte dënuar me dënim unik në kohëzgjatje prej 11 muajsh burgim me kusht, për akuzën për keqpërdorim të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Ndërsa, në seancën e 29 majit 2023, pas aprovimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë nga ana e gjykatës, Tahir Shala ishte dënuar me dënim unik në kohëzgjatje prej 20 muajsh burgim me kusht, për keqpërdorim të votave.

Kurse, në seancën e 29 majit 2023 pas aprovimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë, i akuzuari Kastriot Blakaj është dënuar me dënim unik në kohëzgjatje prej 24 muajsh burgim me kusht.

Në këtë rast, për veprën penale të kanosjes, po akuzohet edhe Kushtrim Gjevukaj, i cili, po ashtu, ishte deklaruar i pafajshëm për aktakuzën e ngritur më 29 dhjetor 2022.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Shkumbin Gashi, Kastriot Blakaj, Shpëtim Shala, Tahir Shala, Milot Blakai, Dardan Blakaj dhe Sylë Balaj, nga muaji janar deri në muajin mars të vitit 2021, me dashje dhe ne bashkëkryerje me njëri-tjetrin e kanë keqpërdorur të drejtën e votimit duke votuar në emër të shtetasve të Kosovës që jetojnë në Austri, me qëllim të sigurimit të votave për të pandehurin Shkumbin Gashi, kandidat për deputet nga radhët e subjektit politik “Lidhja Demokratike e Kosovës” (LDK) në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme parlamentare për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 14 shkurt 2022.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit fillimisht i kanë siguruar kopjet e letërnjoftimeve të 71 qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Austri dhe pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre, kundërligjshëm i kanë përdorur ato letërnjoftime në procesin e votimit për votuesit nga diaspora, ashtu që të pandehurit Kastriot, Milot, Dardan, Tahir dhe Sylë janë mbledhur në një zyrë që dyshohet se ishte nën menaxhim të të pandehurit Kastriot Blakaj në Pejë.

Siç thuhet në aktakuzë, fillimisht aplikuan në KQZ për t’u regjistruar si votues nga diaspora përmes e-mail-adresave fiktive dhe pasi pranojnë kodin nga KQZ, përmes atij kodi i shkarkojnë fletëvotimet nga sistemi online i KQZ-së, pastaj i plotësojnë duke votuar për pesë kandidatë, në mesin e tyre edhe për të pandehurin Shkumbin Gashi pastaj një kopje të letërnjoftimit dhe fletëvotimin e vendosin në një zarf, dhe pasi i plotësojnë 71 zarfe, i vendosin ne një çantë e cila mbante emrin e të pandehurit Shpëtim Shala me vendbanim në Austri.

Tutje, sipas aktakuzës, i pandehuri Kastriot Blakaj, e merr çantën me zarfe dhe me datë 2 shkurt 2021 e dërgon te Stacioni i Autobusëve në Pejë, aty çantën ia jep njërit nga shoferët e autobusit të kompanisë “Loshi Reisen”, i cili bartë udhëtarë me autobus në linjën Gjakovë-Vjenë, ku vozitës atë ditë ishin Agim Abdyli dhe Sabri Uka, pastaj me të arritur çantën e merr i pandehuri Shpëtim Shala dhe ky i fundit i vendos zarfet në postën e Austrisë me destinacion KQZ-në në Kosovë, me ç’rast gjatë kontrollit të ligjshmërisë të kryer nga ana e prokurorit të shtetit në KQZ, ka arritur të identifikohen dhe të konfiskohen zarfet e lartcekura me fletëvotime të falsifikuara.

Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i të drejtës së votimit” e paraparë dhe sanksionuar me nenin 213, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas diapozitivit të dytë, në kohën dhe vendin si në pikën e parë të këtij dispozitivi, me dashje dhe në bashkëkryerje mes vete dhe me persona të tjerë ende të paidentifikuar, i kanë keqpërdorur të dhënat personale të disa qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Austri, në atë mënyrë që fillimisht i kanë siguruar kopjet e letërnjoftimeve të 71 qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Austri dhe pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre i kanë përdorur në procesin e kryerjes së veprës penale nga pika I e këtij dispozitivi.

Me këtë, ngarkohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes”, e paraparë dhe sanksionuar me nenin 336, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, në dispozitivin e tretë, i pandehuri Kushtrim Gjevukaj, më 9 shkurt 2021, në stacionin e Autobusëve në Pejë, me dashje e kanos të dëmtuarin Agim Abdyli, duke i shkaktuar frikë dhe shqetësim për jetën e tij.

Sipas këtij dispozitivi, në ditën e incidentit, del me veturën e tipit “Audi A6”, tek Stacioni i Autobusëve dhe aty pret derisa shfaqet i dëmtuari Agim Abdyli dhe në një moment i pandehuri Gjevukaj i afrohet të dëmtuarit Abdyli, pastaj e hapë dritaren e veturës dhe i drejtohet me fjalët “Mu je ka me pret a dhe hajt se ta kallxoj qejfin“, pastaj mbyll dritaren dhe largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, mirëpo i dëmtuari arrin t’ia marrë targat e veturës dhe pastaj e identifikon në bazë të fotografisë që e kishte parë në rrjetin social “Facebook” dhe procedurës së identifikimit gjatë fazës së hetimit.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Nr. 06/1-074 Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika