I dyshuari për vrasjen e së hënës në një lokal në Klinë, Tush Frroku, në të kaluarën ka kryer edhe vepra të tjera penale.
Përmes një përgjigjeje dhënë për Portalin Dukagjini, Prokuroria Themelore në Pejë njofton se Frroku është akuzuar edhe për dy vepra të tjera penale dhe se ndaj tij kishte procedurë edhe për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Në përgjigjen e prokurorisë thuhet se në vitin 2012, Prokuroria Themelore e Pejës kishte ngritur aktakuzë ndaj Frrokut për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.
Po ashtu, ndaj tij ishte ngritur edhe aktakuzë për veprën penale “Vjedhje e shërbimeve”.
Kurse, në vitin 2016, sipas Prokurorisë ndaj të dyshuarit Frroku, ka pasur procedurë të zhvilluar për veprën penale “Përdorimi armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Mbrëmë, Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për gjetjen e tij si i dyshuar për vrasjen e ndodhur në një lokal në Klinë.
Siç ka bërë të ditur Policia, i dyshuari është arratisur nga vendi i ngjarjes dhe nën kërcënim të armës ka grabitur më pas një veturë duke u larguar në drejtim të Gurrakocit.
Policia ishte vënë në ndjekje të tij dhe në fshatin Kosh të Istogut është gjetur vetura e braktisur.
Ndryshe, viktima fillimisht ishte plagosur, por kishte ndërruar më pas jetë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Klinë.
Vrasja në Klinë – I dyshuari kishte grabitur një veturë dhe ishte larguar në drejtim tё Gurrakocit