Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nuk do të duhej ta emëronte zëvëndësministrin për Komunitete dhe Kthim, Radojica Radomiroviq, pas pjesëmarrjes së tij në luftën e fundit në Kosovë, ka vlerësuar Haxhi Shala nga radhët e AAK-së.
Në “FIVE” të RTV Dukagjini, ai ka deklaruar se Radomiroviq do të duhet të shkarkohet menjëherë dhe se Kurti ishte nxituar me një veprim të tillë.
“Nuk është argument i mjaftueshëm sepse vetë Milloshi s’ka marrë pjesë, por ka urdhëruar…në momentin që doli ajo, kryeminsitri do të duhej ta shkarkonte. Kryeministri nuk do të duhej ta emëronte fare, se çka bën tani ka pak rëndësi. Kjo tregon se ai nuk është i gatshëm, tregon se vetëm ku ta gjejë një serb ta emërojë diku në institucione”, ka deklaruar ai.
Tutje, Shala ka vlerësuar se një emërim i tillë nuk do të ishte në dobi të FSK-së, as të vendit apo në raportet ndërkombëtare.
“Kryeminsitri është ngutur me këtë vendim. Mirë do të ishte të shfrytëzohet mekanimizmi i Vetting-ut në këtë rast…Kryeministri do të duhej ta shkarkonte, sepse jam i bindur që nuk i jep nder as FSK-së, as vendit e as raporteve ndërkombëtare, as ndërkombëtarët nuk i duan këta njerëz brenda institucioneve”, ka deklaruar ai.
Ndryshe, në media është raportuar se Radomiroviq kishte qenë pjesë e ushtrisë serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Qeveria i ka mohuar pretendimet e tilla duke deklaruar se Radomiroviq kishte qenë pjesë e stafit civil.
Shala ka komentuar edhe për emërimin e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Macedoncit.
“E njoh personalisht, është mirë i përgatitur teknikisht për operacione”, ka deklaruar ai, gjersa ka theksuar se mbetet për t’u parë puna e tij në të ardhmen. “S’dëshiroj të dështoj ai.”
Maqedonci është emëruar ministër i Mbrojtjes, pasi nga kjo pozitë ka dhënë dorëheqje Armend Mehaj.
Për Dukagjinin, nga Qeveria kanë deklaruar se arsyeja e dorëheqjes së Mehaj lidhet me gjendjen shëndetësore të gruas së tij, e cila është diagnostifikuar me një sëmundje të rrallë.