Një gjashtëvjeçar ka humbur jetën pas një rënie, e cila raportohet të ketë qenë aksidentale, në një rezervuar në Fushë Arrëz të Shqipërisë.
I ndjeri është nxjerrë nga uji nga familjarët, ndonëse iu dha ndihma e parë, nuk ka arritur të mbijetojë.
Siç raporton TCH, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe është duke vijuar punën për dokumentimin e plotë të rrethanave.
“Rreth orës 21:25, në sallën operative të stacionit të Policisë Fushë Arrëz, ka mbërritur një telefonatë se një i mitur i moshës 6 vjeç, dyshohet se aksidentalisht ka rrëshkitur në rezervuarin e Iballës, Fushë Arrëz. I mituri është nxjerrë nga uji nga familjarët dhe i është dhënë ndihma e parë, por nuk ka arritur të mbijetojë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, sipas policisë.
Pak ditë më parë, një 41-vjeçar u mbyt në liqenin e Belshit, ndërsa dy javë më parë, humbën jetën katër persona në liqenin e Hidrocentralit të Banjës.
Katër të ndjerit kishin hyrë për t’u larë në një zonë ku nuk lejohet noti.