Policia e Kosovës në raportin 24-orësh, ka njoftuar se është arrestuar personi i cili e kishte goditur një vajzë gjashtëvjeçare, të dielën e 15 majit, në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Policisë, vajza ka qenë duke e ngarë biçikletën në hapësirën e sheshit, në momentin kur i dyshuari e kishte goditur atë me veturë, e më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Policia po ashtu ka njoftuar që vajza ka pësuar lëndime trupore.
“Lëndime trupore ka pësuar viktima femër kosovare (fëmijë 6-vjeç) pasi, e njëjta, gjersa ishte duke drejtuar biçikletën në hapësirën e sheshit, është goditur nga një veturë me targa e vendore, e cila pas shkaktimit të aksidentit është larguar nga vendi i ngjarjes. Drejtuesi i veturës është identifikuar dhe arrestuar, dhe, i njëjti, me urdhër të prokurorit dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.