Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa ishte për vizitë në klinikën e Onkologjisë së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtorin e kësaj klinike, Ilir Kurtishi, kanë përuruar vënien në funksion të akseleratorit të dytë për t’i ndihmuar pacientët të kenë shërbime më të shpejta e më kualitative.
Para gazetarëve, shefi i ekzekutivit ka thënë se ky investim është i teknologjisë më moderne, që në kuadër të radioterapisë, bën rrezatimin me rreze jonizuese, dhe siç thotë ai, i përshtatet sipërfaqes së tumorit në mënyrë që të mos bëjë dëmtime anësore.
“Jam këtu bashkë me Vitinë, me drejtorin e Institutit të Onkologjisë, drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, erdhëm që të bëjmë përurimin e akseleratorit të dytë, i cili është i teknologjisë më moderne, në kuadër të radioterapisë bën rrezatimin me rreze jonizuese. Ajo që është e re është fakti se kjo teknologji e fundit i përshtatet sipërfaqes së tumorit dhe në këtë mënyrë arrin të mos bëjë dëmtime anësore”, ka thënë Kurti.
Ai ka falënderuar personelin mjekësor për përkushtimin e tyre ndaj pacientëve, duke thënë se tashmë koha e pritjes për pacientë me këtë investim do të bjerë në zero nga 6-8 javë që ka qenë më herët.
“Ne do të vazhdojmë që të mbështesim personelin tonë shëndetësor, i cili punon me përkushtim maksimal, përgjegjësi për të gjithë pacientët që vijnë këtu. Përkushtimi jonë për shëndetësi që është shprehur me buxhetin 2023 është duke vazhduar me kësi lloj investimesh. Vizita jonë është vizitë për t’i përgëzuar, mirënjohjen dhe falënderimin tonë për mjekët. Do të vazhdojmë me investime. Për gjashtë muaj ka qenë plani, është bërë për tre muaj e nëntë ditë”, ka vijuar Kurti.
Po ashtu, edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se me anë të këtij investimi, lista e pritjes nuk do të ekzistojë më sikurse më herët.
“Ashtu siç tha kryeministri, përuruam akseleratorin e ri, i cili tani e tutje do t’u shërbejë gjithë pacientëve. Lista e pritjes që ka ekzistuar cdoherë, deri në fund të këtij viti, do të bëhet zero. Në Klinikën e Onkologjisë do të investohen disa milionë euro, do të ketë zgjerim të kapaciteteve”, ka thënë Vitia.
Ndërsa, drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka thënë se me anë të këtij akseleratori, për herë të parë do të përdoret teknikë e re e rrezatimit, e cila bëhet për forma të veçanta të tumorit.
“E falënderoj kryeministrin dhe ministrin që na kanë dhënë ndihmë dhe janë angazhuar për përmirësimin e kushteve, me aparaturën e re pacientët do të kenë kujdes më meritor e më modern. Për herë të parë do të përdorim, teknikë të re të rrezatimit, që bëhet për forma të veçanta të tumorit. Nga viti tjetër këtë shërbim do ta marrin në Kosovë, s’kanë nevojë të dalin jashtë vendit. Me instalimin e aparaturës së re, nevojat për dalje jashtë Kosovë do jenë minimale apo zero”, ka thënë Kurtishi.
Ndryshe, më 11 korrik, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se klinika e Onkologjisë është bërë me një investim të ri në vlerë me mbi 1 milion euro.