Katër serbë dhe një shqiptar janë arrestuar nga Policia e Kosovës në afërsi të Çeçevës së Zubin Potokut, nën dyshimin se të njëjtit merreshin me kontrabandë.
Një tjetër, sipas burimeve të Portalit Dukagjini, është akoma në kërkim dhe se i njëjti është i nacionalitetit shqiptar.
Gjatë tentimit për t’i ndaluar, grupi i të dyshuarve i ka sulmuar me armë zjarri Policinë e Kosovës dhe më pas, Policia është kundërpërgjigjur ndaj tyre.
Lajmin për Dukagjinin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani.
Ky i fundit ka njoftuar se nga ky rast nuk ka ndonjë të lënduar.
“Në rrethinën e Zubin Potokut, Policia ka hasur në një veturë që dyshohej që merrje me kontrabandë. Në tentim për t’i ndaluar ka pasur të shtëna me armë. Policia ka shkëmbyer zjarr. Nga rasti nuk ka të lënduar dhe as të vdekur. Kemi konfiskuar 4 vetura dhe një kombi. Të arrestuar janë 5 persona, katër serbë dhe një shqiptar”, ka deklaruar Elshani.
Tutje, ai shtoi se furgoni ishte duke bartur cigare të kontrabanduara.