KDI: Dorëheqjet dhe pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje – mundësi për zgjedhje të situatës në veri

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) njofton se i ka përcjellë zhvillimet lidhur me mandatin e kryetarëve të katër komunave veriore

Përmes një komunikate për media, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) njofton se i ka përcjellë zhvillimet lidhur me mandatin e kryetarëve të katër komunave veriore. Sipas këtij instituti, kryetarët ishin zgjedhur në një proces të improvizuar të votimit që “ndonëse plotësoi kriteret minimale ligjore, u karakterizua me dalje tejet të ulët të votuesve – duke e cenuar ndjeshëm legjitimitetin e tyre politik”.

“Si rezultat i tensionimit të situatës, është arritur një marrëveshje në Bratislavë, në kuadër të së cilës parashihet mbajtja e zgjedhjeve në katër komunat veriore, deri në fund të verës. Megjithatë, KDI e konsideron të gabuar zhvendosjen e komunikimit për zgjedhjet në komunat veriore nga Qeveria vetëm në nivel ndërkombëtar, duke anashkaluar diskutimet me serbët lokal dhe përfaqësuesit e tyre politik”, thuhet në komunikatën për media.

Sipas kësaj komunikate, “me qëllim që t’i hapet rrugë shtensionimit të plotë, KDI vlerëson që kryetarët aktualë të komunave duhet të shqyrtojnë dorëheqjet nga pozitat e tyre, për t’u mundësuar qytetarëve zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre legjitim. Dorëheqjet po ashtu mundësojnë një proces të ri zgjedhor në afate më të afërta kohore, pa vonesa procedurale dhe kosto të dyfishtë”.

Njëkohësisht, KDI-ja u bën thirrje të gjithë qytetarëve të katër komunave veriore, në veçanti atyre nga radhët e komunitetit serb, si dhe subjekteve politike që përfaqësojnë interesat e tyre, që të zotohen se do të marrin pjesë në zgjedhje, me qëllim që dorëheqjet e kryetarëve të mos sjellin një proces të ri por me rezultat të njëjtë.

“Gjithashtu, KDI rikujton që legjislacioni ekzistues sekondar nuk është i mjaftueshëm për zhvillimin e procedurës për largimin e kryetarëve, meqë nuk janë të përcaktuara afatet procedurale, mënyra e verifikimit të vlefshmërisë së kërkesës për largim, e as modalitetet për zhvillimin e votimit. As iniciativa e MAPL-së për hartimin e një udhëzimi administrativ nuk është e mjaftueshme, meqenëse nevojitet edhe hartimi i akteve nga ana e KQZ-së – si bartëse e procesit të votimit. Megjithatë, legjislacioni sekondar nuk mund të tejkalojë përcaktimet ligjore të parapara me ligjin në fuqi”, thuhet tutje në komunikatën për media.

Tutje, në komunikatën për media thuhet se “në anën tjetër, ndonëse fokusi institucional dhe ai publik janë tek kryetarët e katër komunave, rikujtojmë që një zgjidhje është e domosdoshme edhe sa i përket kuvendeve komunale përkatëse, ku përfaqësimi politik nuk reflekton përbërjen demografike të këtyre komunave”.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika