Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut ka thënë se ky shtet duhet duhet të jetë sa më afër Kosovës, Shqipërisë dhe Bullgarisë, e sa më larg Serbisë.
“Maqedonia e Veriut, sa më afër Kosovës, Shqipërisë e Bullgarisë, e sa më larg Serbisë, e cila nuk po distancohet as nga Millosheviqi e as nga Putini”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se aq më afër Bashkimit Evropian të jetë Maqedonia e Veriut, aq më i sigurtë do të jetë rajoni i Ballkanit.
“Aq më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian do të jetë Maqedonia e Veriut, aq më i sigurtë do të jetë rajoni ynë i Ballkanit. E për këtë ne duhet ta ndihmojmë e do ta përkrahim Maqedoninë e Veriut”, ka thënë kreu i ekzekutivit.
Më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë të dhënë për televizionin lokal të Tetovës, “TV Koha”, për masat e BE-së tha se “nuk është e logjikshme e as racionale të insistohet kundër Kosovës”.
Lexo dhe: Kurti për masat e BE-së: Nuk është e logjikshme e as racionale të insistohet kundër Kosovës
“Besoj që nuk është e logjikshme e as racionale të insistohet kundër Kosovës me masa nga më të ndryshme, prej atyre financiare deri tek vizitat e nivelit të lartë. Ato do të duhej të tejkaloheshin, do të duhej të hiqeshin. Dhe kjo letra e mbi 50 parlamentarëve të Perëndimit demokratik, ShBA-së, Bashkimit Evropian, Mbretërisë së Bashkuar besoj është hapi i duhur në drejtimin e duhur që të përmirësohet qasja ndaj Kosovës e të ashpërsohet ndaj Serbisë agresore, e cila nuk distancohet as nga Millosheviqi e as nga Putini”, ka thënë Kurti.
Gjatë ditës së djeshme (e premte), kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në përurimin e një rruge në komunën e Çairit në Maqedoninë e Veriut, e cila do ta mbajë emrin e “Mandelës së Ballkanit”, Adem Demaçit.
Lexo dhe: Kurti e përuron rrugën me emrin ”Adem Demaçi” në komunën e Çairit në Maqedoninë e Veriut
“Rrugëve të Kosovës që mbajnë emrin “Adem Demaçi”, iu shtua sot edhe një rrugë në komunën e Çairit në Maqedoni të Veriut”, ka shkruar dje Kurti.