Ministri i Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani, për 22-vjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit ka thënë se është një nga marrëveshjet “e rralla të paqes që krijuan model funksional dhe afatgjatë për promovimin e vlerave bashkëkohore si: paqe, stabilitet dhe prosperitet; respektim të të drejtave kolektive, barazi dhe promovim të bashkëjetesës; liri, demokraci dhe respektim të të drejtave individuale”.
“Marrëveshja Kornizë e Ohrit paraqet kthesë historike të rëndësishme, tashmë të gërshetuar edhe në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Dialogu, politikat e kompromisit, kultura e dialogut politik paraqesin vlera të rëndësishme në krijimin e shoqërive të përparuara dhe të bashkuara. Kjo është e rëndësishme edhe sot, kur edhe një herë gjendemi në një kthesë të re, që t’i sigurojmë të ardhme evropiane vendit tonë”, ka shkruar Osmani.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që ta njohin “rëndësinë e këtij momenti”.
“Le t’i lëmë me një anë interesat partiake apo dallimet politike dhe të bashkohemi. Qytetarët e presin këtë nga ne, të gjejmë mënyrë dhe t’u sigurojmë atyre të ardhme evropiane, shoqëri më të mirë dhe progres”, ka shkruar Osmani.
Të dielën e 13 gushtit janë mbushur 22 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në mes shqiptarëve dhe maqedonasve për raporte të reja shoqëroro-politike dhe ndërtimin e shtetit që sot njihet si Maqedonia e Veriut.
Lexo dhe: 22 vjet nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit
Pas konfliktit të armatosur që ndodhi në vitin 2001, u arrit kjo marrëveshje me asistimin e bashkësisë ndërkombëtare.