Kirurgët torakal pranë Spitalit Klinik në Tetovë, javën e kaluar për herë të parë përfunduan intervenimin e parë për hiperhidrozën. Ky intervenim është realizuar për t’i ndaluar djersitjet së tepërta te një paciente.
Sipas mjekëve, intervenimi ka ndodhur përmes metodës së prerjes me ndihmën e simpatektomisë minimale invazive.
“Kirurgët torakal specialist nga Spitali Klinik i Tetovës kryen intervenimin e parë të hiperhidrozës, që do të thotë djersitje e tepërt. Operimi është kryer me metodën e prerjes me ndihmën e simpatektomisë minimale invazive. Pacientja me hiperhidorza pas intervenimit nuk kishte simptoma të djersitjes dhe u kthye në jetën normale”, kanë informuar nga Spitali Klinik i Tetovës, raporton “Koha.mk”.
Spitali Klinik i Tetovës përmes rrjetit social Facebook, ka falënderuar mjekët që përkrahën dhe dhanë këshilla se si të realizohet një operacion i tillë.
“Falënderojmë Prof Dr. Firas Abu Akar për vizitën, përkrahjen dhe këshillat profesionale. Gjithashtu e falënderojmë Prof Dr. Diego Gonzalez Rivas për edukimin në Spanjë para disa muajve, për këtë metodë të re”.
Mënyra më e re e intervenimit paraqet procedurë të ndryshme kirurgjike, nga praktika e tanishme në pjesën e sistemit nervor me qëllim të ndalojë djersitjen e tepërt.