Pse është e rëndësishme të themi jo?

“Jo” është një fjalë që mund të duket si e rëndë, por në fakt, lidhet më së shumti me vëmendjen që duhet t’i jepni vetes dhe dëshirave tuaja

Për disa njerëz, të thënit “jo” përkon me çlirimin nga situata dhe persona me të cilët nuk duan të kenë të bëjnë, ndërsa për disa të tjerë mund të sjellë parehati dhe siklet.

Kjo, edhe për shkak se shoqëria shpesh na ka ngulitur në mendje se kur themi “jo” po tregohemi të pasjellshëm. Por, në fakt, nëse gjëja që po na kërkohet, na lëndon, një “jo” është shumë e natyrshme të thuhet.

Fjala “jo” sjell disa përfitime të shëndetshme, pasi krijon qëndrueshmëri mendore, si dhe ndihmon në krijimin e vetëbesimit dhe të vendosjes së barrierave.

“Jo” është një fjalë që mund të duket si e rëndë, por në fakt, lidhet më së shumti me vëmendjen që duhet t’i jepni vetes dhe dëshirave tuaja.

Për shkak të roleve të ndryshme që ne luajmë në shoqëri, jemi paksa të detyruar që të aprovojmë dhe pohojmë edhe situata apo mendime që me thënë të drejtën, s’na japin as kënaqësi dhe as nuk na shërbejnë. Këto sfidojnë aftësinë tonë për të vendosur disa barriera dhe duke tentuar të shmangim debate apo ndjesinë e fajit, shpeshherë e gjejmë veten duke thënë “po” kur në fakt duam të bërtasim me të madhe “jo”.

Duke qenë se është paksa e vështirë, ju sugjerojmë që të keni një ide të qartë me vendosjen e limiteve, që ta keni më të thjeshtë përshtatjen.

Pra, nëse po mendoni që të vendosni disa limite me familjen, mund të nisni me disa “jo” të vogla, në mënyrë që të jetë sa më e natyrshme për ju dhe ndryshimi në sjellje të vijë gradualisht.

Siç e thamë edhe më sipër, të thënit “jo” shërben edhe si një mënyrë për t’u kujdesur për veten. Kjo do të thotë se nëse nuk doni ta bëni diçka, s’keni pse ta bëni. Për shembull: Një mik/e ju fton për një gotë pas pune, por ju s’keni dëshirë, apo keni plane të tjera, një “jo” është përgjigjja më e mirë.

Pra, mos kini frikë ta thoni si fjalë, përkundrazi, nëse s’keni dëshirë ta bëni një gjë, thuajeni dhe shihni se sa të fuqizuar do të ndiheni.

 

Të fundit nga rubrika