Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar fuqishëm fushatën linçuese kundër gazetarëve të Nacionales në Prizren.
Në një pankartë të vendosur në qytetin e Prizrenit, ku shihen fotografitë e gazetarëve, Vullnet Krasniqi e Berat Buzhala, thuhet “Drejtësi për popullin, dënim për përçarësit. Bojkoto Nacionale. Liria e shprehjes merr fund tek ofendimi”.
“Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, një veprim i tillë është krejtësisht i papranueshëm dhe i vë në cak të sulmeve si online ashtu edhe fizike, gazetarët dhe familjarët e tyre”, njofton AGK.
AGK-ja e ka ftuar Policinë e Kosovës dhe organet e rendit që të bëjnë punën e tyre për largimin e pankartave dhe hetimin e veprimit që përmban gjuhë të urrejtjes dhe nxitjes.
“AGK-ja, njëherësh bën thirrje që fushatat e tilla denigruese të ndalen, në mënyrë që gazetarët dhe mediet të kenë mundësi të ushtrojnë profesionin e tyre pa u penguar”, thuhet tutje në njoftimin e AGK-së.