Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka demantuar deklaratat e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, sipas të cilit, Republika e Surinamit e ka tërhequr njohjen e shtetit të Kosovës.
Në një përgjigje për Dukagjinin, MPJD ka thënë se “Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk ka asnjë njoftim rreth ndonjë veprimi të tillë nga ana e shtetit Surinami”.
Tutje thuhet se një situatë të ngjashme ka pasur edhe muaj më parë kur Serbia pati paralajmëruar një numër të madh “çnjohjesh”, të cilat rezultuan të ishin të gjitha të pavërteta”.
“Përtej spekulimeve mediale dhe deklaratave të titullarëve në Beograd, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nuk ka asnjë njoftim rreth ndonjë veprimi të tillë nga ana e shtetit Surinami. Një situatë të ngjashme kemi pasur edhe muaj më parë kur Serbia pati paralajmëruar një numër të madh ‘çnjohjesh’, të cilat rezultuan të ishin të gjitha të pavërteta”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.
Tutje, MPJD ka thënë se po punon me intensitet në lidhjen e marrëdhënieve dhe rritjen e bashkëpunimit me shtete të cilat nuk e kanë njohur ende Republikën e Kosovës, duke mos lënë anash forcimin e marrëdhënieve dhe nisjen e iniciativave konkrete të bashkëpunimit me shtete, të cilat e kanë njohur Republikën e Kosovës, por me të cilat thuhet se për arsye të ndryshme nuk ka pasur aktivitete të dendura të përbashkëta.
Para disa jave u raportua nga ana e palës serbe se Surinami e ka çnjohur shtetin e Kosovës.