Si njëri ndër zbulimet më të rëndësishme në arkelogjinë e vendit është cilësuar mbishkrimi i perandorit Justinian nga ana e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Me anë të një postimi në Facebook, Kryeministri Kurti ka bërë të ditur se ka pritur në takim udhëheqësit e projektit “Gërmimet në lokalitetin arkeologjik Ulpiana”. Të njëjtit, edhe i ka falënderuar.
“Mbishkrimi në Kishën Paleokristiane është ndër zbulimet më të rëndësishme në arkeologjinë e vendit, si dëshmi e identitetit dardan në antikitetin e vonë dhe mesjetën e hershme. Bashkë me ministrin Çeku dhe këshilltaren e tij, Nora Arapi, sot në takim i pritëm e i falënderuam udhëheqësit e projektit “Gërmimet në lokalitetin arkeologjik Ulpiana”, arkeologun Christophe Goddard, përfaqësues i Universitetit “Ecole Normale Supérieure” në Paris, Arben Hajdarin, profesor në Universitetin e Prishtinës dhe Milot Berishën, arkeolog në Institutin Arkeologjik të Kosovës si dhe Tringa Berbatovci, studente e arkeologjisë në Universitetin “Ecole Normale Supérieure””, ka shkruar Kurti. “Falë punës, pasionit e dedikimit të arkeologëve në lokalitete të ndryshme, ato po bëhen qendra referuese për Kosovën teksa përkushtimi i Qeverisë mbetet i palëkundur, duke siguruar mbështetje të të gjitha formave, si teknike, shkencore ashtu edhe financiare”.
Gjatë së hënës, në Ulpianë u zbulua një mbishkrim i perandorit Justinian (527-565).që po konsiderohet si ndër zbulimet më të mëdha, nga periudha e perandorisë së vonshme romake dhe perandorëve më të rëndësishëm.