Policia e Kosovës (PK) ka njoftuar se “ka arrestuar dhe dërguar në mbajtje M.A. nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘falsifikim i dokumenteve’, ndërsa i dyshuari tjetër N.H., është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘legalizim i përmbajtjes së rreme’”.
Në njoftimin e Policisë, thuhet se hetuesit policorë nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, e kanë trajtuar rastin në fjalë pas një hetimi ku “në mënyrë të dyshimtë ishin bartur pronësia dhe aksionet e një kompanie tek një person tjetër. Vlerësohet se vlera e kompanisë mund të jetë milionëshe”, raporton Portali Dukagjini.
Në njoftim thuhet se “i dyshuari, më 21.07.2023 ka prezantuar dokumente të falsifikuara siç janë: një autorizim, një vendim për ndryshim të statutit të biznesit dhe një kontratë për falje të aksioneve, pranë ARBK-së, me të cilat ka lajthitur zyrtaret kompetent dhe ka bërë ndryshimin e pronësisë së biznesit dhe të njëjtën e ka bartur në emër të tij”.
Pas përfundimit të intervistës është kontaktuar prokurori i lëndës dhe me aktvendim mbi ndalimin, i dyshuari është dërguar ne mbajtje për 48 orë.