Në varrezat e fshatit Lybeniq, për dy ditë u gërmua në kërkim të mbetjeve mortore të luftës së fundit në Kosovë.
Por, dyshimet se këtu mund të jenë eshtrat e ndonjë personi të vrarë nga forcat serbe, nuk u konfirmuan.
“Dje dhe sot kemi ardhur dhe jemi duke gërmuar në pika ku ende dyshohet që mund të ketë mbetje mortore, faktikisht dje kemi gërmuar në dy pika në pjesën tjetër, ku nuk kemi gjetur asgjë. Ndërsa sot jemi në varrezat e fshatit dhe jemi duke gërmuar.”, ka deklaruar Valon Hyseni, antropolog mjeko ligjor në IML.
Hyseni thotë se gërmimet brenda territorit të Kosovës, do vazhdojnë edhe në ditët në vazhdim.
“Jemi duke i trajtuar me seriozitet dhe të gjitha kërkesat që i kemi, të cilat thuajse vec janë duke u ekzekutuar përvec Lybeniqit ne në ditët në vazhdim do vazhdojm edhe në Bishtazin të Gjakovës, në Kamenicë e në Podujevë.”, ka deklaruar Hyseni.
E shpresën se eventualisht do të gjenden eshtrat e të zhdukurve, më shumë se dy dekada më vonë e kanë ende banorët e Lybeniqit.
Përfaqësuesi i këtij fshati të Pejës,Nezir Jahmurataj, thotë se ishin ata që njoftuan institucionet për dyshimet për mbetje mortore këtu.
“Ne sipas do fotove që i kemi gjetur është ka bëhet ky gërmim, është bë edhe në një pjesë brenda në fshatë, edhe për shumë njerëz tjerë se në fshatin tonë supozohet se në bjeshkët e fshatit janë edhe disa njerëz të zhdukur.”, ka deklaruar Nezir Jahmurataj, Përfaqësues i fshatit Lybeniq.
Në këtë fshat gjatë periudhës së luftës ndodhën 3 masakra e u vranë mbi 110 persona. Masakra më e madhe është ajo e 1 prillit të 1999 në të cilën forcat serbe vranë 58 persona.