Afrim Syla nga Kompania “Elen” ka deklaruar se pritja për të marrë një pëlqim mbi realizimin e një parku solar në rrethinë të komunës së Shtimes po vazhdon me muaj të tërë.
Në Debat Plus të RTV Dukagjini, Syla ka deklaruar se komuna e Shtimes pavarësisht masave ligjore, e ka drejtuar kompaninë “Elen” në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe anasjelltas. Syla vlerëson se kjo paraqet një mangësi të Ministrisë në mosinformimin e zyrtarëve komunalë për procedurat.
“Fillimisht, kemi shkuar në komunë ku kemi hasur në vështirësi dhe jemi ballafaquar me përgjigje që nuk i kemi dashur. Mungesa e planit zhvillimor të planit të komunës së Shtimes, e pamundëson ose e pengon procesin e investimin në energji solare. Nga Ministria e Ambientit kërkohet që komunat të cilat duan të pranojnë investime të tilla duhet ta kenë në planin e tyre zhvillimor energjinë solare”, ka deklaruar ai. “Çka është shqetësuese është se zyrtarët e komunës janë totalisht të painformuar me ligjet aktuale në Kosovë për çdolloj investime dhe ndoshta është mangësi e Ministrisë që nuk i thërrasin dhe njoftojnë për këto… Ata menjëherë na kanë thënë që duhet të shkoni në Ministri dhe ne u kemi thënë që për projekte të vogla nuk duhet të shkojmë në Ministri sepse ligji e kërkon deri në 10 megavat të iu drejtoheni organeve komunale. Shkuam në Ministri dhe na kthyen në komunë. Vajtja-ardhja Komunë-Ministri-KEDS po vazhdon me muaj e nuk po marrim përgjigje”.
Syla ka treguar se investimet e kompanisë dhe bashkëpuntorëve të tyre janë në pritje, gjersa thekson se nga aktivitetet e tyre për të investuar në këtë zonë mbushin një vit në tetor.
Lidhur me temën, Dukagjini ka ftuar edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për të qenë pjesë e “Debat Plus”, por të njëjtit nuk i janë përgjigjur ftesës.